Punimi: Pajtueshmëria me Politikën e Kohezionit të BE-së dhe Kërkesat e IPA-s: Qasja e Qeverisjes Shumë-nivelesh”, nëntor 2012

EMA ka kënaqësinë të ndaj me ju punimin “Pajtueshmëria me Politikën e Kohezionit të BE-së dhe Kërkesat e IPA-s: Qasja e Qeverisjes Shumë-nivelesh”, mbështetur nga Fondacionit Pontis – Sllovaki, Slovak Aid si dhe Slovak Balkan Public Policy Fund.

Pabarazitë rajonale në Shqipëri vazhdimisht janë evidentuar jo vetëm nga raporte të ndryshme ndërkombëtare por edhe nga të dhëna zyrtare. Shqipëria nuk ka ende një politikë të mirëfilltë kohezioni dhe përgatitja e saj në kontekstin e anëtarësimit në BE është akoma në një fazë shumë të hershme. Kuadri i zhvillimit rajonal, është në përgatitje e sipër me konsultime të vazhdueshme dhe ri-shqyrtime të cilat mbeten ende për t’u finalizuar. Kapacitetet administrative për zbatimin e komponentit IPA III janë në një fazë të hershme.

Përvoja e shteteve të reja anëtare nga Europa Qendrore ka treguar se suksesi i politikës strukturore dhe asaj të kohezionit në pjesën më të madhe varet nga funksionimi i qeverisjes shumë-nivelesh dhe shumë-aktorësh. Për rrjedhojë, aplikimi i konceptit të qeverisjes shumë-niveleshe është një praktikë e mirë për të nxjerrë mësime të vlefshme në rastin e Shqipërisë, për përballimin e sfidave të përafrimit me politikën e kohezionit të BE-së dhe në përputhje me kërkesat e komponentit IPA III.

Përmes këtij hulumtimi, EMA vlerëson se qeveria shqiptare duhet të tregojë angazhim të qartë për të:

përafruar politikën e saj të zhvillimit rajonal me politikën e kohezionit të BE-së dhe instrumenteve të tyre financiare;
rritur zbatimin e parimit të partneritetit, në mënyrë që të shmangen vonesat në përgatitjen e programeve; dhe
siguruar thithjen e sigurt dhe përdorimin efikas të burimeve financiare të BE-së në kuadër të komponentit IPA III.

Pavarësisht fitimit apo jo të statusit të vendit kandidat, nëse draft rregullorja e e re e propozuar IPA 2014-2020 miratohet, ajo do të bëjë të mundur aksesin në të gjitha komponentët e ndihmës vetëm në varësi të: gadishmërisë për të planifikuar, menaxhuar, zbatuar dhe monitoruar programe të përshtatshme; të pasjes së burimeve dhe kapaciteteve njerëzore në të gjitha nivelet; si dhe përfshirjes së duhur të të gjitha palëve të interesuara.