Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri: Mundësitë për përfshirje të shoqërisë civile në procesin e negociatave për arsimin, shkencën dhe rininë, 24 tetor 2023 Elbasan
U zhvillua më 24 tetor 2023, në Elbasan workshopi në kuadër të Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri, nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) në bashkëpunim me Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”.
Workshopi bëri bashkë stafin akademik të universitetit, studentë, të rinj aktivistë dhe aktorë të tjerë të shoqërisë civile për të diskutuar dhe ndarë eksperienca në lidhje me procesin e zgjerimit të BE, hapjen e negociatave dhe mundësitë për përfshirje sa i përket dy Kapitujve 25 dhe 26 që mbulojnë fushat e arsimit, shkencës dhe kërkimit shkencor.
Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri mbështetet nga Bashkimi Europian dhe zbatohet nga Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri dhe Qendrën Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin.
Aktiviteti u mirëprit nga Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane të Universitetit i Elbasanit, Dr. Ardian Lami i cili në fjalën e tij shprehu që këto aktivitete janë me rëndësi për tu informuar por dhe për të ndarë eksperienca mes grupeve të interesit, stafit akademik dhe të rinjve. Ato janë të frytshme pasi ofrojnë mundësinë për informim dhe përfshirje jo vetëm të grupeve të interesit, por të gjithë shoqërisë e komunitetit. Pjesëmarrja në këto nisma, i mundëson studentët e të rinj që të bëhen pjesë e procesit e në këtë mënyrë të kontribuojnë e ta përmirësojnë atë. Ai vuri theksin te domosdoshmëria që bashkëpunime të tilla të vazhdojnë dhe në të ardhmen, si hapësira të nevojshme për të ndarë eksperienca dhe për të ngritur kapacitetet nëpërmjet diskutimit dhe komunikimit.
Anila Dollani, eksperte e integrimit europian mbajti dy sesione ku në fillim tema e saj u fokusua mbi procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian, ku vëmendje iu kushtua historisë dhe evoluimit të zgjerimit në BE deri në miratimin e Metodologjisë së Re të Zgjerimit në vitin 2020. Ajo theksoi që Metodologjia e Re e Zgjerimit erdhi si nevojë për të rigjallëruar procesin e zgjerimit të BE, po nga ana tjetër e ka bërë procesin më kompleks dhe më politik duke i dhënë më shumë kompetenca dhe rol Shteteve Anëtare të BE. Gjithashtu Metodologjia e ka bërë procesin të kthyeshëm apo dhe mund të çojë në pezullimin e tij, ku ajo përmendi tre raste kur mund të ndodhë kjo: 1) kur ndodh një shkelje e rëndë dhe e vazhdueshme e vlerave të BE nga vendi kandidat; 2) kur nuk ka progres për një kohë të gjatë në kapituj/grupime apo ka ulje të standardeve të arritura më parë; 3) kur progresi i bërë në kapitujt e Grupimit 1 mbetet shumë më i ngadaltë se në grup kapitujt e tjerë.
Gjatë sesionit të dytë, Dollani u përqendrua te procesi i negociatave të Shqipërisë me BE-në, të cilat u hapën zyrtarisht më 19 korrik 2022, dhe ka filluar puna për Grupimin 1 të kapitujve – Themeloret. Ajo sqaroi më konkretisht çfarë është procesi screening (procesi i shqyrtimit të legjislacionit) dhe si po ecën ky proces në rastin e Shqipërisë. Sipas saj procesi screening u mundëson vendeve kandidate të familjarizohen me ligjet dhe standardet e BE, lejon që të shqyrtohen nivelet e gatishmërisë dhe planet e veprimit, si dhe bën të mundur që të merren indikacione paraprake për çështjet që mund të dalin në negociata. Ajo shpjegoi strukturën kryesore të negociatave si dhe dokumentet që po përgatiten nga shteti shqiptar.
Nirvana Deliu, Hulumtuese nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) sqaroi më konkretisht fushat që mbulojnë dy Kapituj të Acquis – Kapitulli 25 – Shkenca dhe Kërkimi dhe Kapitulli 26 – Arsimi dhe Kultura. Këto dy kapituj janë me interes për përfaqësues të universiteteve dhe studentëve, por edhe tëorganizatave të shoqërisë civile të angazhuara në përmirësimin e cilësisë së arsimit, kulturës apo kërkimit shkencor. Të dy kapitujt nuk kanë shumë Acquis, dhe në pjesën më të madhe u është lënë vendeve anëtare kompetenca për të realizuar politikat, por nga ana tjetër është e nevojshme që ato të plotësojnë standardet për të qenë pjesë e nismave dhe strukturave në nivel europian si Zona Europiane e Arsimit (EEA) apo Zona Europiane e Kërkimit Shkencor (ERA). Sa i përket procesit të negociatave të Shqipërisë me BE-në për këto dy kapituj, është përfunduar procesi i shqyrtimit (takimet shpjeguese të realizuara gjatë periudhës tetor-nëntor 2022 dhe takimet dypalëshe të realizuara në 26-27 prill 2023). Autoriteti negociues për këto dy kapituj është Ministria e Arsimit dhe Sportit, që është njëkohësisht dhe institucioni përgjegjës për ngritjen e Tryezave të Diskutimit dhe Këshillimit në kuadër të Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian. Deliu u ndal tek Platforma e Partneritetit për Integrimin Europian (PPIE) si struktura e vetme ku lejon përfshirjen e aktorëve jo-shtetërorë në procesin e negociatave e mbi mundësitë për përfshirje të aktorëve të shoqërisë civile në këtë proces për tu informuar, për tu konsultuar dhe për ta monitoruar atë. Tryezat e PPIE për Kapitullin 25 dhe 26 janë ngritur tashmë, edhe pse informacioni për zhvillimin dhe mbarëvajtjen e këtyre dy tryezave është i vështirë për tu gjetur.
Diskutimi me pjesëmarrësit u fokusua mbi hapat konkrete për tu përfshirë në procesin e negociatave në kuadër dhe të Platformës, si dhe mbi rrugëtimin e Shqipërisë në kuadër të integrimit europian dhe detyrimet që duhet të plotësojë për të kaluar në fazën tjetër të procesit.



