Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri – Procesi i integrimit europian në Shqipëri – mundësitë për përfshirje në procesin e negociatave për çështje të shtetit të së drejtës, 19 prill 2024

Më 19 prill 2024, në mjediset e Universitetit të Durrësit ‘Aleksandër Moisiu’ u zhvillua Workshop-i me tematikën ‘Procesi i integrimit europian në Shqipëri – mundësitë për përfshirje në procesin e negociatave për shtetin e së drejtës’, në kuadër të Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri, ku e ftuar ishte ekspertja e fushës, Elda Zotaj dhe ekspertja e integrimit, njëkohësisht hulumtuese pranë EMA, Nirvana Deliu. Ekspertet e integrimit, Zotaj dhe Deliu, ofruan një analizë të plotë të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian duke identifikuar momentet kyçe që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1991 deri në prezantimin e Paketës së Zgjerimit të BE për Ballkanin Perëndimor në nëntor 2023. Ekspertet theksuan se prioritetet kryesore janë forcimi i institucioneve demokratike, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut.

Elda Zotaj nisi prezantimin e saj me një historik të shkurtër të krijimit të BE dhe zgjerimin e tij, duke e kaluar më pas në shpjegimin e Kritereve të Kopenhagen-it dhe të Marid-it duke u dhënë të pranishmëve një ide më të plotë mbi kushtet që secili vend i cili synon aderimin në BE duhet të plotësojë. Zotaj bëri një analizë të  Procesit të Stabilizim Asociimit (PSA) si kuadri themelor i marrëdhënieve midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, duke identifikuar tre qëllimet kryesore: stabilizimin e rajonit, nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe hapjen e perspektivës së anëtarësimit në BE. Ajo theksoi se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, përcakton marrëdhëniet politike, tregtare dhe të tjera, duke përfshirë dialogun politik, liberalizimin e tregtisë, lirinë e tregut të brendshëm të BE-së dhe bashkëpunimin në fusha prioritare, duke bërë të mundur një rregullim strategjik të riformimit shtetëror dhe lehtësimin e procesit të anëtarësimit. Zotaj vazhdoi prezantimin e saj me fokus dokumentet kryesore strategjike për procesin e  integrimit europian si PKABE, PKIE dhe Raportet e Komisionit Europian, duke theksuar rëndësinë e secilit dokument dhe funksionin e tyre në proces, si dhe strukturën e tyre.Ajo e mbylli prezantimin e saj duke ofruar një vështrim krahasimor mbi rrugëtimin e Shqipërisë në procesin e aderimit në BE dhe shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Nirvana Deliu prezantoi Metodologjinë e Re të Zgjerimit të BE, me një formë krahasore se çfarë mund të jetë pozitive për procesin tonë dhe çfarë mund të ndikojë jo dhe aq pozitivisht nga kjo metodologji e re. Deliu dha informacion të strukturar mbi mënyrën se si do të bëhej i mundur përafrimi i legjislacionit shqiptar me Acquis e BE duke paraqitur grup kapitujt e përafrimit të legjislacionit sipas tematikave të përcaktuara për ndarjen e tyre, gjithashtu duke paraqitur dhe institucionet përgjegjëse për përafrimin e secilit kapitull. Shtuar këtij informacioni Deliu shpjegoi fazat e procesit të negociatave dhe pozitën e Shqipërisë sot, me një fokus të veçantë në procesin screening. Ajo i kushtoi rëndësi të veçantë strukturës së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE duke shpjeguar gamën e gjerë të strukturave të ngritura në funksion të procesit të negociatave. Deliu u ndal te Platforma e Partneritetit për Integrimin Europian, për Kapitujt 23 dhe 24, ku ajo theksoi se kjo platformë përfshin Bordin Drejtues dhe 33 Tryeza të Diskutimit dhe Këshillimit, duke synuar sigurimin e një përfaqësimi gjithëpërfshirës për partnerët publikë dhe privatë në procesin e integrimit.

Përmes prezantimit të këtij informacioni të hollësishëm, Zotaj dhe Deliu ofruan një panoramë të plotë të sfidave dhe proceseve të përfshira në rrugën drejt anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ato paraqitën qartë hapat e procesit dhe rrugëtimin sfidues që Shqipëria ka pasur së bashku me sfidat e saj. Pjesëmarrësit u angazhuan me pyetje rreth mbarëvajtjes së procesit deri më tani, strategjive të reja që mund të jenë në diskutim nga ana e qeverisë dhe mbi pritshmëritë lidhur me datën e parashikuar për finalizimin e procesit të anëtarësimit 2030. 

***
Ky workshop zhvillohet në kuadër të Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri, mbështetur nga Bashkimi Europian dhe që zbatohet nga Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri dhe Qendrën Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin.