Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri: Vizioni i BE-së për dijen dhe aftësitë – mundësitë për arsimin dhe të rinjtë në Shqipëri, 30 maj 2024

Më 30 maj 2024, në mjediset e Bibliotekës Musine Kokalari, Tiranë, u zhvillua workshop-i i radhës në kuadër të Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile, me temë ‘Vizioni i BE-së për dijen dhe aftësitë – mundësitë për arsimin dhe të rinjtë në Shqipëri ku te pranishme për të diskutuar mbi temën ishin ekspertet e integrimit europian, Elda Zotaj dhe Nirvana Deliu. Ekspertet ofruan një panorama të detajuar rreth prioriteteve mbi fushat e arsimit dhe rinisë në kuadër të procesit të anëtarësimit dhe negociatave për Kapitullin 25 dhe 26. Ato theksuan se procesi i integrimit në BE është i përqendruar drejt zhvillimeve në fushën e arsimit, duke pasur parasysh politikat rinore të Bashkimit Europian. Gjithashtu, Zotaj më konkretisht vlerësoi rëndësinë e Strukturës Europiane të Kualifikimeve për përafrimin e standardeve arsimore dhe rritjen e cilësisë së arsimit dhe aftësimit profesional.

Nirvana Deliu, Koordinatore Projekti, Lëvizja Europiane në Shqipëri, e nisi workshop-in me dhënien e një informacioni më të detajuar mbi Kapitullin 25 dhe 26, duke ofruar një pasqyrë të qartë mbi legjislacionin në kuadër të BE dhe objektivat kryesore të këtyre kapitujve. Ajo foli rreth përparimit të negociatave për këto kapituj në Shqipëri, duke përmendur sfidat dhe arritjet e deritanishme, dhe vuri në dukje se për të arritur harmonizimin e plotë me standardet e BE-së, është thelbësore që vendi të përmirësojë politikat dhe praktikat në shkencë, kërkim dhe arsim. Deliu e përmbylli prezantimin e saj duke theksuar një aspekt i rëndësishëm siç është përfshirja e aktorëve jo-shtetërorë në procesin konsultues për negociatat, ku nënvizoi se kjo përfshirje, e mundësuar përmes Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian, siguron një proces më transparent dhe gjithëpërfshirës duke u dhënë mundësinë këtyre aktorëve të kontribojnë në mbarëvajtjen e procesit me anë të ekspertizës dhe ideve të tyre. 

Elda Zotaj, eksperte integrimi, diskutoi një sërë temash të rëndësishme lidhur me zhvillimet në arsimin dhe politikat rinore në kontekstin e integrimit europian. Ajo filloi duke analizuar përpjekjet për sinkronizimin e veprimeve të përbashkëta në fushën e arsimit dhe theksoi rëndësinë e Procesit të Bolonjës, duke u ndalur në risitë dhe sfidat që ky proces paraqet për vendet në rajon. Zotaj theksoi se “filozofia e mësimit gjatë gjithë jetës” është një komponent kyç që ka një ndikim shumë pozitiv në zhvillimin personal dhe profesional të individëve. Duke kaluar tek politikat rinore, Zotaj nënvizoi se BE ka një fokus të veçantë tek të rinjtë në mbarë Europën, i cili është pasqyruar qartë në Strategjinë e BE mbi Rininë. Ajo shpjegoi se procesi i integrimit europian ka ndikuar ndjeshëm në hapat që ka ndërmarrë Shqipëria për të zhvilluar dhe përmirësuar politikat e saj rinore, duke vënë theksin rëndësinë e harmonizimit të një strukture të përbashkët kualifikimi. Në këtë kontekst, ekspertja vlerësoi mbështetjen dhe qasjen ndaj arsimit profesional, të cilën e cilësoi si një vizion europian për aftësimin dhe lidhjen më të mirë me tregun e punës. Ajo shtjelloi kontekstin shqiptar, duke shpjeguar se si këto politika dhe qasje ndihmojnë në aftësimin e kapaciteteve njerëzore dhe ri-integrimin e tyre në tregun e punës. Ekspertja e integrimit përfundoi prezantimin e saj duke theksuar se këto elemente janë thelbësore për zhvillimin e mëtejshëm të politikave arsimore dhe rinore në Shqipëri, duke kontribuar në një integrim më të suksesshëm dhe të qëndrueshëm në Bashkimin Europian.

Nëpërmjet këtij workshopi ekspertet u siguruan që pjesëmarrësit të zgjeronin dijet e tyre me informacionet e ofruara rreth procesit të integrimit të Shqipërisë, jo vetëm duke i informuar ata por edhe duke bashkëbiseduar me ta rreth realitet shqiptar dhe atij europian. Pjesëmarrësit ndanë këndvështrimet e tyre rreth çështjeve të trajtuara, si dhe perspektivat e tyre për rrugëtimin e deritanishëm dhe të ardhshëm të aderimit të Shqipërisë dhe rolit të rinisë në këtë proces. Pyetjet dhe diskutimet u shtrinë rreth të gjitha çështjeve të trajtuara gjatë workshopit duke e thelluar kështu edhe informacionin e marrë.