Seritë e Integrimit Europian – Java e tretë, 21-28 korrik 2020
Në kuadër të projektit: “Shqyrtimi i ndikimit të Integrimit Europian në dimensionin Socio-Ekonomik të Shqipërisë” zhvilluar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri në bashkëpunim me ELIAMEP në Greqi, 12 webinare u realizuan gjatë muajit korrik 2020 si pjesë e Serive të Integrimit Europian. Webinaret e zhvilluara gjatë javës së tretë 21-28 korrik ishin:
Webinar 8, 21 korrik 2020 – Në webinarin e 8 tema e diskutimit ishte Identiteti europian- A ka BE-ja një politikë të unifikuar mbi shtetësinë e përbashkët?. Folësi kryesor në këtë webinar ishte Dr. Lambros Baltsiotis, hulumtues shkencor mbi shtetësinë në Greqi dhe Ballkan, migracionin dhe çështjet etnike të shtetit komb. Fokusi i tij i diskutimi u vendos te problematikat kryesore që hasin qytetarët në marrjen dhe respektimin e shtetësisë së tyre nga vendi që iu ofrohet për shkak të përkatësive kulturore. Ai u ndal në krahasimin e politikave të Shteteve Anëtare për dhënien e shtetësisë dhe sesi idealet politike të majta ose të djathta ndikojnë në diversitetin legjislativ brenda Bashkimit Europian. Një vëmendje e veçantë iu dha dhe çështjes së komunitetit Rom, anëtarët e të cilin hasin vështirësi në vërtetimin e dokumenteve për prejardhjen e tyre. Pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime se si çështja e shtetësisë mund të ndikojë në integrimin e Shqipërisë drejt BE, duke qenë se një pjesë e madhe e popullsisë jeton jashtë territorit të sotëm të shtetit Shqiptar.
Webinar 9, 23 korrik 2020 – Në webinarin e 9 tema e diskutimit ishte Politika e BE në lidhje me integrimin e komunitetit Rom dhe integrimi i vendeve të Ballkanit. Folësi kryesor në këtë webinar ishte Dr. Yorgos Christidis, profesor në Universitetin e Selanikut dhe hulumtues pranë ELIAMEP. Fokusi kryesor ishte përgjigja e Bashkimit Europian në procesin e integrimit të komunitetit Rom nëpërmjet politikave europiane të kohezionit, si mjet për të zvogëluar paragjykimet ndaj tyre dhe për të nxitur mirëqenien e tyre sociale. Fillimisht, Dr. Christidis prezantoi një paraqitje historike të trajtimit social-politik të komunitetit Roma që pas luftës së dytë botërore dhe më tej në vitet 1990. Ai u ndal në krahasimin e trajtimit të komunitetit Rom ndërmjet dy ideologjive të kohës, Lindjes dhe Perëndimit, dhe nënvizoi sfidat që ato hasnin përgjatë përditshmërisë, përfshirjen e tyre sociale dhe përshtatjen e kulturës Rome në ecurinë e kohëve moderne. Gjithashtu, u shpjegua sesi ka ndryshuar narrativa e BE ndaj komunitetit Rom paralel me zgjerimin e Unionit, si një mënyrë për të sjellë më pranë vëmendjes nevojat e këtij grupi social. Kritika e tij ishte keqpërdorimi i kauzës së komunitetit Rom për arsye politike nga politikanë të ndryshëm të Vendeve të reja Anëtare të BE. Pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime për sa i përket diskriminimit të komunitetit Rom në vendin e punës apo qendrat institucionale dhe arsimore.
Webinar 10, 24 korrik 2020 – Në webinarin e 10 tema e diskutimit ishte Media e Bashkimit Europian dhe mjedisi i komunikimit. Folësja kryesore në këtë webinar ishte gazetarja greke Alexandra Voudouri, analiste e specializuar në çështjet e jashtme dhe politike për BE dhe Ballkanin. Fokusi kryesor ishte paraqitja e strukturës së punës së gazetarëve dhe sfidave të tyre pranë institucioneve europiane. Ajo u shpreh se Bashkimi Europian është një organizatë që përfaqëson dhe ka përgjegjësi për 27 shtete, prandaj është e rëndesishme të kuptohet marrëdhënia që ajo ka me çdo qeverisje shtetërore dhe ndihma që ofron për to, dhe anasjelltas. Ajo foli sesi media shërben si mediator për të ndërtuar lidhjen midis publikut dhe institucioneve burokratike për të përditësuar lajmet që prekin interesin e tyre, përgjegjësi e cila shtron pyetjen për vlefshmërine e aftësive të gazetarëve për të bërë dallimin midis asaj çfarë prezantohet nga institucionet e BE dhe esencën e vërtetë të vendimeve të tyre. Pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime për besueshmërinë që mund të kenë “flash news” dhe pasojat që mund të sjellin lajmet e rreme në momente tensioni politik. Gjithsej, morën pjesë 65 të interesuar.
Webinar 11, 28 korrik 2020 – Në Webinarin e 11 tema e diskutimit ishte Raportimi i Procesit të Berlinit- Nismat e sotme dhe të ardhshme në rolin e procesit të anëtarësimit drejt BE për Ballkanin Perëndimor. Folës kryesor ishin Dr. Ioannis Armakolas dhe Bledar Feta, studiues dhe analist politik pranë Hellenic Foundation for European and Foreign Policy (ELIAMEP) organizata partnere e EMA në këtë projekt. Bledar Feta, në prezantimin e tij realizoi një paraqitje të përmbledhur të procesit të Berlinit, duke përfshire historikun e tij; qëllimet politike rajonale; axhendën politike. Më tej ai u ndal dhe se si ky proces ka si princip të ndihmojë në zgjidhjen e konflikteve në Ballkan dhe të shtyj vendet e Ballkanit Perëndimor më afër procesit anetarësues të BE. Dr. Ioannis Armakolas u ndal në mënyrë të detajuar në analizimin e pikave të forta dhe të dobëta të procesit të Berlinit. Kritika e tij u paraqit në parashkimin e 6 skenarëve sesi ky proces mund të ndikojë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke u udhëzuar nga zhvillimet e fundit socio-politike dhe ekonomike. Skenarët parashikojnë mundësitë në një bosht kronologjik, nisur nga ndërprerja e procesit për shkak të dështimit të tij; vazhdimësisë së tij të pandryshuar; përditësimit të tij në trupa burokratik të përhershëm për politika të paracaktuara; përshtatjes së tij në bazë të një realiteti politik të krijuar nga marrëdhëniet e sotme BE-Shqipëri; radikalizimi dhe dhënia e një rëndësie të veçantë e aktorëve të shoqërive civile dhe bizneseve si faktor të rëndësishëm në marrjen e vendimeve në këtë proces; dhe orientimit të tij në një zgjidhje të përbashkët rajonale të procesit të anëtarësimit. Pjesëmarrësit u integruan në diskutime, duke marr shembuj të vendeve të tjerë të Ballkanit që tashmë janë pjese e BE, nën lenten e krahasimit sesi mund të ndikojnë situatat aktuale politike të brendshme të Shqipërise me ato rajonale dhe strategjike. Gjithsej, morën pjesë 40 të interesuar.
Nirvana Deliu, Lëvizja Europiane në Shqipëri gjatë kësaj jave prezantoi gjetjet e publikimit të realizuar nga EMA mbi strukturat e krijuara për negociatat mes Shqipërisë dhe BE-së dhe mbi mundësitë e përfshirjes së shoqërisë civile në këtë proces nëpërmjet këtyre strukturave. Fokusi u vendos te Platforma e Partneritetit dhe Tryeat e Konsultimit për 33 kapituj që do të negociohen, Grupi negociator dhe grupet negociatore të punës që po ngrihen në çdo ministri për kapitujt përkatës. Përfshirja e shoqërisë civile në këtë proces vlerësohet me rëndësi si për informimin e këtij aktori për vazhdimësinë e këtij procesi, ashtu dhe për ofruar hapësira për përfshirje të shoqërisë civile për të ofruar ekspertizën dhe eksperiencën e tyre në këtë proces teknik.
Në javën e tretë, Anita Lushi, Akademia e Integrimit Europian dhe Negociatave, vazhdoi me prezantimin e gjetjeve të pyetësorit duke u fokusuar të çështjet financiare dhe faktorët që mund të ndikojnë në integrimin e Shqipërisë në BE. Si fillim ajo mori në analizë situatës financiare e popullit në Shqipëri dhe shkaqet që kanë ndikuar. Ndërkohë u paraqit dhe një parashikim sesi pritet të jetë situata financiare në të ardhmen e afërt dhe arsyet që mendohet se do të ndikojnë. Mbështetja për hyrjen e Shqipërisë në BE po ashtu ishte një nga temat që u trajtua në webinaret e kësaj jave. U shqyrtua në detaje mbështetja e subjekteve më të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit lidhur me hyrjen në BE. Dy nga gjetjet më të rëndësishme që u morën në analizë ishin faktorët që kërcënojnë hyrjen e Shqipërisë në BE dhe arsyet për veton e Francës në tetor të 2019.



