Sesion Informimi: Fuqizimi i OSHC-ve dhe mbrojtja e konsumatorëve nëpërmjet informimit dhe ndërgjegjësimit, 23 mars 2022 ELBASAN

U zhvillua më 23 mars 2022 sesioni i informimit në mjediset e Universitetit të Elbasanit, në kuadër të projektit “Nga Informimi te Veprimi – Fuqizimi i Organizatave mbi Mbrojtjen e Konsumatorit”, mbështetur financiarisht nga Bashkimi Europian. Aktiviteti informues bëri bashkë aktorë të shoqërisë civile, lektorë dhe ekspertë, si dhe studentë për të diskutuar mbi çështje që lidhen me Mbrojtjen e Konsumatorit me fokus të veçantë në të drejtën e konsumatorit për informim dhe roli që duhet të luajnë si institucionet shtetërore përgjegjëse ashtu dhe media përqendruar në zhvillimet dhe rastet më të fundit të lidhura kryesisht me sigurinë ushqimore dhe rritjen e çmimeve të produkteve në markete.

Në hapje të takimit Gledis Gjipali, Drejtor ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri prezantoi objektivat e projektit dhe hapësirat dhe mundësitë që ai do të ofrojë për aktorë të shoqërisë civile për tu informuar, për tu përfshirë dhe për tu angazhuar në aktivitete në kuadër të çështjeve të lidhura me mbrojtjen e konsumatorit, ngritjen e kapaciteteve të OSHC-ve sa i përket procesit të negociatave, informimin dhe ndërgjegjësimin mbi të drejtat e konsumatorëve si dhe mentorim mbi procesin e konsultimit dhe hartimit të politikave të lidhura me fushën e Mbrojtjes së Konsumatorit dhe përgatitjen e këtyre aktorëve me kapacitetet e nevojshme për vlerësimin dhe analizimin e implementimit të politikave dhe performancës institucionale. Gjipali u shpreh se informimi është hap i detyrueshëm për angazhimin e këtyre grupeve të interesit, në mënyrë që ata të jenë të qartë  mbi të drejtat, procedurat dhe institucionet e lidhur me mbrojtjen e konsumatorit.

Eda Çela, Shefe e Zyrës së Koordinimit dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Universiteti i Elbasanit Aleksandër Xhuvani gjatë fjalës së saj shprehu domosdoshmërinë e realizimit të këtyre aktiviteteve, ku temat e lidhura me Mbrojtjen e Konsumatorit duhet të ketë një vëmendje më të madhe si në mjediset akademike dhe universitare, ashtu dhe për shoqërinë civile dhe publikun e gjerë. Ajo nënvizoi që Mbrojtja e Konsumatorit është një temë që trajtohet pak apo aspak në kurrikulat mësimore si për arsimin e detyrueshëm ashtu dhe në kurrikulat universitare, siç është rasti i kurrikulës së drejtësisë, ku aspekte të lidhura me këtë fushë janë pak të përfshira. Ajo theksoi gatishmërinë për të zhvilluar aktivitete të tjeraq të kësaj natyre që ofrojnë informim dhe orientim në Universitetin e Elbasanit në bashkëpunim me OSHC të ndryshme.

 Gjatë prezantimit të tij, Granit Sokolaj, Drejtor i Qendrës Alert theksoi si fillim të drejtën tonë për informim si konsumatorë, duke theksuar faktin e thjeshtë që të gjithë jemi konsumatorë dhe të gjithë kemi të drejtë të informohemi për produktet, shërbimet që ne blejmë dhe paguajmë duke përmendur dhe rastet më të fundit të diskutuara edhe publikisht si energjia elektrike apo pasojat nga gripi i shpendëve. Duke i dhënë një rol madhor medias në informimin dhe ndërgjegjësimin e konsumatorëve, ai nënvizoi që ka disa sfida që hasen për kryerjen e këtij roli në mënyrë sa më korrekte dhe efektive siç është fakti që një pjesë e gazetarëve nuk janë të trajnuar dhe të mirëinformuar për mënyrën e trajtimit të çështjeve ku preket konsumatorit. Nga ana tjetër çështja e informimit të konsumatorit nuk është një nga fokuset që ka media sot në Shqipëri. Një konsumator i informuar dhe i ndërgjegjësuar, është një konsumator që së pari i njeh të drejtat e veta dhe së dyti di dhe ti kërkoj ato në rast shkeljesh apo abuzimesh. Ndër të tjera Sokolaj përmendi dhe problematikat që hasen sot nga blerjet online, si një mënyrë që po përhapet gjithnjë e më shumë në Shqipëri por që konsumatori shpeshherë është mashtruar nga këto blerje. Një pjesë e mirë e operatorëve që ofrojnë shërbimin e tregtisë online, nuk kanë informacionin e duhur në faqet e tyre online kontaktet e nevojshme dhe informacionet e detajuara për produktet, ku një pjesë operojnë vetëm nëpërmjet rrjeteve sociale. Kjo e bën mjaft të vështirë kontaktin me këto faqe në rast pakënaqësie apo të nevojës për ndërrimin e produkteve. Konsumatorët nuk kanë ku ankohen dhe për institucionet bëhet e vështirë identifikimi dhe gjetja e personave përgjegjës. Një temë tjetër me interes ishte e drejta e kthimit të produktit, që shumë konsumatorë nuk kanë fare informacion. Kjo e drejtë është për çdo produkt, ku konsumatori edhe kur nuk ka asnjë arsye ka të drejtë ta kthej mallin e blerë brenda dy javësh dhe operatori është i detyruar ti kthej pagesën mbrapsht. Sa i përket rasteve ku e drejta cenohet, për Sokolaj mungon kultura e ankimit dhe kultura për ti kërkuar të drejtat deri në fund. Institucioni kryesor është Komisioni për Mbrojtjen e Konsumatorit i cili ndjek rastet e ankesave nga konsumatorët.

Gjatë diskutimit të hapur me pjesëmarrësit u ngritën çështje të ndryshme ku pjesëmarrësit treguan rastet e tyre të blerjeve online dhe si kanë vepruar për tu ankuar, si dhe rolit që duhet të luajnë OSHC-të për të rritur informimin te publiku, duke e konsideruar informimin si fuqizim, ndërkohë që duhen marrë nisma të nevojshme për të ndërtuar një kulturë reagimi që duket se mungon në Shqipëri. Me interes për tu diskutuar ishte dhe çështja se si mund të përkthehet konkretisht fuqizimi i OSHC-ve në organizime dhe angazhime praktike të formalizuara dhe si të institucionalizohet ky angazhim. Përfshirja e këtyre çështjeve në kurrikulat mësimore dhe universitare por dhe realizimi i aktiviteteve të tilla ekstra-kurikulare, u sugjerua si e nevojshme nga studentët pjesëmarrës.