Sesion Informimi: Fuqizimi dhe mbrojtja e konsumatorëve nëpërmjet informimit dhe ndërgjegjësimit, 25 janar 2023 Korçë

Më 25 janar 2023 u zhvillua në Korçë info-sesioni i radhës për Informimin dhe Mbrojtjen e Konsumatorëve që zhvillohet në kuadër të Projektit “Nga Informimi te Veprimi – Fuqizimi i Organizatave mbi Mbrojtjen e Konsumatorit”. Tema e këtij sesioni ishte “Fuqizimi dhe mbrojtja e konsumatorëve nëpërmjet informimit dhe ndërgjegjësimit” ku me pjesëmarrjen e aktorëve të shoqërisë civile, përfaqësuesve të universiteteve e institucioneve vendore, ekspertëve dhe aktivistëve të rinj u diskutua mbi mbrojtjen e konsumatorit në Shqipëri dhe roli që duhet të luajnë institucionet shtetërore lokale.

Aktiviteti nisi me një fjalim hapës nga Nirvana Deliu, Koordinatore pranë EMA, e cila bëri një përmbledhje të projektit që po zbatohet dhe sa i rëndësishëm është për zhvillimin e mëtejshëm për fushën e të drejtave të konsumatorit dhe mbrojtjen e tyre në Shqipëri. Qëllimi i këtyre sesioneve është patjetër informimi dhe ndërgjegjësimi i konsumatorëve lidhur me të drejtat e tyre. Megjithatë një objektiv tepër i rëndësishëm është edhe përfshirja e institucioneve shtetërore për të rritur bashkëpunimin e tyre më organizatat e shoqërisë civile.

Më pas fjalën e mori Armand Braho, aktivist dhe drejtues i Akademisë Rinore, Pogradec, i cili theksoi gjithashtu rëndësinë që një projekt i tillë ka, veçanërisht në fuqizimin e konsumatorëve, informimin e aktivistëve të rinj në këtë fushë, dhe nxitjen e dialogut me grupet e interesit. Nga eksperienca e tij Braho ka vërejtur një kategorizim të të drejtave të konsumatorit në Shqipëri në vijë të dytë, kjo e ardhur si pasojë edhe e mungesës së kapaciteteve në autoritetet lokale. Megjithatë, ai u ndal të përmendte edhe raste nga praktika kur konsumatorë të njohur me të drejtat e tyre kanë mundur të mbrohen efektivisht.

Prezantimi i fundit u paraqit nga Granit Sokolaj, gazetar dhe drejtor i Qendra ALERT, i cili i kushtoi një vëmendje të veçantë informimit mbi procedurat dhe institucionet ku konsumatorët mund dhe duhet të drejtohen në rast të shkeljes së të drejtave të tyre. Sokolaj vazhdoi më pas duke sjellë raste praktike të ankesave drejtuar Qendrës ALERT dhe se si janë zgjidhur ato, duke reflektuar se shpeshherë tregtarët janë jo-bashkëpunues për të gjetur një zgjidhje që korrigjon situatën në favor të konsumatorit. Ai theksoi rëndësinë që ka ushtrimi i të drejtës për ankim nga konsumatorët në rast shkeljeje edhe në edukimin e tregut për respektimin e të drejtave të tyre. Megjithatë, problemi kryesor mbetej përsëri mungesa e autoriteteve shtetërore apo marrja e masave konkrete për të trajtuar problemet në këtë fushë. Ndaj edhe është thelbësore ndërgjegjësimi i konsumatorëve vetë mbi këto tema, duke përdorur edhe mediat, të cilat duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje raportimit të problematikave lidhur me konsumatorët dhe të drejtat e tyre.

Sesioni u përmbyll me një diskutim të hapur, ku u fol veçanërisht mbi problematikat e shtuara me të drejtat e konsumatorit në sektorin e ekonomisë dixhitale. Aktualisht në Shqipëri ekzistojnë mbi 3000 mijë faqe online, të cilat zhvillojnë aktivitete ekonomike. Mes pjesëmarrësve kishte edhe ekspertë të fushë që ndanë me të pranishmit disa këshilla praktike për të dalluar operatorët e sigurt, si mënyra e komunikimit, ekzistenca e të dhënave të biznesit, lëshimi i kuponit në rast blerjeje, si garanci për konsumatorët. Gjithashtu u përmend fakti se mbrojtja e të drejtave të konsumatorit duhet të këtë më shumë zbatueshmëri në praktikë, me rezultate të prekshme që të rritet edhe besimi i vetë konsumatorëve.