Sesion Informues – Shoqëria Civile në Veprim: Monitorimi i Reformave Themelore në kuadër të integrimit europian, 04 Prill 2025

Në Info Sesionin e radhës, organizuar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) në Tiranë, më 4 prill 2025 fokusi i takimit që bëri bashkë aktorë të shoqërisë civile, ekspertë të fushës dhe profesionistë të ligjit dhe përfaqëesues të komunitetit akademik fokusi u përqendruar te roli që duhet të luaj shoqëria civile për të monitoruar reformat themelore në këtë moment ku ndodhet vendi – negociatat për Grupkapitullin 1.

Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i EMA sqaroi në fjalën e tij se si aktorët e shoqërisë civile mund dhe duhen të përfshihen jo vetëm në procesin politikëbërës por dhe në monitorimin e zbatimit të këtyre politikave, edhe pse i vetdijshëm që në shumë raste shoqëria civile nuk i ka kapacitetet e mjaftueshme apo dhe hapësirat për tu përfshirë në një mënyrë cilësore dhe të qëndrueshme. Gjipali vuri theksin, që tani fokusi duhet të jetë te monitorimi dhe vlerësimi për masat e parashikuara për Kapitullin 23 dhe 24, bazuar dhe në Udhërrëfyesit e miratuar dhe Axhendën Kombëtare të Reformave, në mënyrë që dhe shoqëria civile të luaj rolin e saj aktiv në çuarjen përpara të këtyre masave të parapara nga shteti shqiptar, por që janë dhe kritere të vendosura nga Bashkimi Europian. Ai nënvizoi që projektet e ndryshme të mbështetura nga donatorë të huaj, siç është dhe projekti i mbështetur nga Bashkimi Europian shërbejnë si hapësira ku shoqëria civile mund të dialogojë me institucionet publike, por edhe për ngritjen e kapaciteteve dhe bashkëpunimin të OSHC dhe grupeve të tjera të interesit siç është dhe programi i Moduleve të Integruara për MEL për Shoqërinë Civile për Politikat e Shtetit të së Drejtës.

Mimoza Agolli, Eksperte për MEL sqaroi më në detaje pse është i nevojshëm një program i tillë për MEL për të ngritur kapacitetet e shoqërisë civile, duke vendosur theksin dhe tek domosdoshmëria e MEL si një proces që duhet të jetë i pandashëm sa i përket bërjes dhe zbatimit të politikave. Ajo u shpreh se Monitorimi dhe Vlerësimi rrisin transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve publike ndaj aktorëve të shoqërisë civile por edhe publikut te gjerë, duke i bërë ato më të përgjegjshme dhe bashkëpunuese. Agolli përmendi që për hartimin dhe zbatimin e një procedure MEL të suksesshme duhet që të ketë përgjigje për tre pyetje me rëndësi: 1) Cili është problemi/çështja që duhet monitoruar, 2) Çfarë duam të arrijmë me këtë monitorim dhe 3) Si do jetë qasja për zgjidhjen e problematikave dhe ndaj procesit. MEL sipas Agollit, nuk është një procedurë e vështirë nëse është e qartë problematika, objektivi dhe mënyra për të arritur objektivin. Por ajo u shpreh që është një element i rëndësishëm që ndihmon në marrjen e vendimeve për përmirësimin e situatës. Agolli në përfundim të fjalës së saj shpjegoi që përfshirja e aktorëve të shoqërisë civile por jo vetëm në këto programe trajnimi dhe ngritje kapacitetesh, është me vlerë se si fillim u jep atyre dije dhe informacion që sot nuk është shumë i lëvruar në Shqipëri, kombinimi i teorisë me praktikën e bën më të qartë dhe të kapshëm informacionin dhe rrit aftësinë e tyre për të luajtur sa më mirë rolin e mbikëqyrësit për zbatimin e politikave në nivel kombëtar.

Kostandina Keruti, Menaxhere Programi, Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, si një nga pjesëmarrëset e Programit të Moduleve të Integruara MEL ndau eksperiencën e saj dhe pse ajo e vlerëson atë si me rëndësi. Keruti theksoi që ky trajnim e bëri të kuptoj që MEL nuk është dhe aq i vështirë teknikisht (mbetet puna e përditshme për aktorët e shoqërisë civile) por arrin të jesh më i qartë për procesin, hapat që duhet të ndjekësh dhe qëllimin dhe impaktin për çdo hap apo veprim që ndërmerret. Ajo u shpreh që mundësi të tilla trajnimesh ku ke mundësinë të bashkëpunosh dhe ndërveprosh me aktorë të tjerë, që dhe pse nga i njëjti sektor me eksperienca dhe profile të ndryshme është një vlerë e shtuar për të ndarë përvoja dhe mendime. Vlerë e shtuar e trajnimeve të tilla është dhe ndërthurja e teorisë me rastet praktike, të cilët e bëjnë më të qartë dhe të prekshëm informacionin teorik të përthithur. Një pikë me rëndësi për Kerutin është dhe mundësia për të zgjeruar rrjetin profesional dhe të bashkëpunëtorve, që hap mundësitë për bashkëpunime të tjera në të ardhmen.

Aleka Papa, Menaxhere e Portofolit pranë Swisscontact Albania, si një tjetër pjesëmarrëse e këtij Programi Modulesh u shpreh që kapacitetet teknike dhe instrumentet e duhura për të zbatuar MEL mungojnë te OSHC-të jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë Ballkanin Perëndimor. Ajo theksoi që rritja e kapaciteteve në monitorim dhe vlerësim nga aktorët e shoqërisë civile, do të rriste kërkesën për transparencë dhe llogaridhënie për institucionet publike dhe rrit presionin e aktorëve të shoqërisë civile, në mënyrë të qëndrueshme dhe jo vetëm në këtë fazë të procesit të integrimit ku jemi sot, por edhe kur të jemi pjesë e Bashkimit Europian dhe mbase monitorimi nga BE për kryerjen e reformave sdo jetë më kaq intensiv. Papa vuri theksin që kjo duhet parë si përpjekjse shumë pozitive ndaj OSHC-ve dhe duhet parë mundësia për një qëndrueshmëri dhe zjgatje në kohë të një programi të tillë, që mungon në Shqipëri por që është i nevojshëm. Njohja me kolegë të tjerë nga sektori i shoqërisë civile, përgatitja e detyrave të punës në grup, diskutimi dhe marrja e informacionit në dukje teknik, po shumë me vlerë ishin pikat kryesore gjatë fjalës së saj që e bëjnë një program të tillë me vlerë dhe me rëndësi.

Pas përfundimit të fjalës së panelistëve, u realizua ceremonia e shpërndarjes së certifikatave për pjesëmarrësit e Edicionit të II, si dhe prezantimi dhe diskutimi me pjesëmarrësit e Edicionit të III të Programit të Moduleve të Integruara për MEL. Pjesëmarrësit u shprehën që janë entuziastë në përfshirejn në këtë program dhe do të kontribuojnë në mënyrë cilësore gjatë diskutimeve, detyrave në grup dhe bashkëpunimit mes tyre.