Sistemi i Drejtësisë për të Miturit

DSC03905-1024x478Më 16 korrik 2015, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në bashkëpunim me Slovak Foreign Policy Association (SFPA), si dhe me mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Integrimit Europian zhvilloi Sesionin e Parë të Grupeve të Punës me temë: “Sistemi i Drejtësisë për të Miturit”.

Sesioni u hap me fjalën e Z. Idlir Peçi, Zv. Ministër i Drejtësisë “Ndërsa ka shumë debate për Reformën në Drejtësi apo për hapjen e negociatave, çështje të ndjeshme si sistemi i drejtësisë për të Miturit shpesh harrohen apo injorohen. Rastet problematike ku fëmijët janë të përfshirë, na japin mesazhin e rëndësisë që duhet të ketë sistemi i drejtësisë për të miturit”

Sipas Znj. Vjollca Meçaj Drejtore Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, ligjërisht dhe nga pikëpamja kushtetuese në vendin tonë fëmijëve u ofrohet vëmendje dhe mbrojtje e veçantë, ndaj drejtësia për të miturit nuk duhet të kufizohet vetëm në sistemin penal; është një ndërlidhje e shumë elementëve si sistemi edukimit, mbrojtja e ofruar nga familja, shteti dhe shoqëria në përgjithësi. Prandaj është e nevojshme të vendoset bashkëpunimi dhe koordinimi i duhur ndërmjet institucioneve përgjegjëse. Një problem tjetër i ngritur nga znj. Meçaj është fakti se thuajse 90 % e të miturve që kryejnë kundravajte, shndërrohen në recidivistë në të ardhmen. Ajo propozoi si të nevojshëm krijimin e Gjykatës për të Mitur, me gjyqtarë dhe prokurorë të specializuar për fëmijët.

Z. Stefan Matula, ekspert nga Instituti Kërkimor për Psikologjinë e Fëmijëve dhe Patopsikologjinë në Sllovaki, solli eksperiencën e vendit të tij dhe mënyrën se si ajo mund të implementohet në realitetin shqiptar. Në kuadër të Programit Kombëtar i cili zbatohet në Sllovaki, ai shpjegoi krijimin e Kabinetit Hulumtues dhe Metodik për Udhëzimet Psikologjike dhe Parandalimin, pjesë e Institutit të Psikologjisë dhe Patopsikologjisë së Fëmijëve. Në mbyllje të fjalës së tij ai ftoi të gjithë të interesuarit nga pala shqiptare të bëhen pjesë e konferencës së ardhshme në Bratislavë për të ndarë eksperiencat e tyre.

Znj. Ina Verzivolli, përfaqësuese e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve theksoi nevojën e politikave sociale në sektorin e drejtësisë. Janë të shumta sfidat e gjetura nga raporit i agjencisë për 2013-2014 dhe duke qenë se aspekti social është shumë i rëndësishëm, sugjerohet bashkëpunimi ndërsektorial mes politikave sociale dhe sistemit të drejtësisë. Një çështje tjetër lidhet me moshën e përgjegjësisë penale. Legjislacioni në Shqipëri nuk siguron shërbime specifike për individët që janë nën moshën e përgjegjësisë penale dhe që kryejnë një kundravajtje. Gjithashtu prioritet duhet të marrë edhe edukimi. Sipas znj. Verzivoliii, Shërbimi i Provës është një hap pozitivë por specialistë për çështjet e fëmijëve vazhdojnë të mundojnë.

Gjatë diskutimit të hapur Znj. Deljana Nebiu, si përfaqësuese e Shërbimit të Provës, një sektor i hapur rishtaz, shpjegoi benefitet dhe trajtimet jo vetëm juridike por edhe sociale që mund të përfitojnë fëmijët prej këtij shërbimi. Takimi u përmbyll me mendime dhe sugjerime edhe të karakterit juridik përsa i takon boshllëqeve ligjore që ekzistojnë në këtë kuadër. Një problematikë e ngritur nga znj. Nebiu ishte nënvlerësimi i raporteve të përgatitura nga Shërbimi i Provës, nga ana e prokurorisë gjatë procesit të gjykimit. Kjo lidhet dhe me faktin që mungon një ekspertizë e kualifikuar që të merret me çështjen e fëmijëve.
Akademikë, pjesëmarrës në këtë Grup Pune, sugjeruan mendime të legjislacionit shqiptarë, duke marrë në konsideratë praktikat më të mira të rajonit dhe më gjerë.

Për më shumë informacione mbi Konventën për Integrimin Europian dhe rekomandimet e Kapitullit 23 (Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore) ndiqni linkun: Konventa për Integrimin Europian- Kapitulli 23 (Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore)