Shpërbërja e kombeve: Rend dhe kaos në shekullin e njëzet e një, vjen në shqip

EMA,index në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Dudaj”, ka kënaqësinë të sjellë në gjuhën shqipe librin “Shpërbërja e kombeve: Rend dhe kaos në shekullin e njëzet e një” të Robert Kooper. Kjo iniciativë është ndërmarrë në kuadër të projektit “Nxitja e studimit dhe analizës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe rolit në ndryshim të shtetit”, mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.

Në këtë libër, autori Robert Cooper, një ndër diplomatët më të rëndësishëm të Europës, aktualisht Këshilltar i Shërbimit të Jashtëm të BE-së si dhe ndërmjetësues i dialogut Kosovë – Serbi, paraqet interpretimin e tij radikal të një rendi të ri botëror që ka dalë nga mbeturinat e komunizmit. Ai përcakton se të gjitha shtetet sot në botë i përkasin një ndër tre ndarjeve: Shtete “para moderne” ku mungojnë ligjet; shtete “moderne” që janë mbrojtës të flaktë të sovranitetit të tyre; dhe shtete “post-moderne” që veprojnë në bazë të ligjit, transparencës dhe sigurisë të ndërsjelltë. Cooper tregon se Shtetet e Bashkuara duhet ende të vendosin nëse do të përqafojnë botën “post moderne” apo do ndjekin unilateralizmin dhe politikën e forcës. Pyetja kyçe me të cilën përballen Europianët është nëse në ditët tona është i pranueshëm përdorimi i metodave të ashpra të një epoke më të hershme – të tilla si forca, sulmi parandalues, mashtrimi – në mënyrë që të mbrohet ajo që ata kanë arritur deri më tani. Shpërbërja e kombeve është një përshkrim i thellë i kohës në të cilën jetojmë.

“Shpërbërja e kombeve: Rend dhe kaos në shekullin e njëzet e një” sugjerohet të lexohet nga çdo politik-bërës, analist, politikan, student, gazetar dhe të gjithë ata që janë të interesuar mbi marrëdhëniet ndërkombëtare të shekullit të njëzet e një.