Rikthimi i Historisë dhe Fundi i Ëndrrave, i Robert Kagan vjen në shqip

EMArikthimi-i-historise-dhe-fundi-i-endrrave-robert-kagan në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Dudaj”, ka kënaqësinë të sjellë në gjuhën shqipe librin “Rikthimi i Historisë dhe Fundi i Ëndrrave”. Kjo iniciativë është ndërmarrë në kuadër të projektit “Nxitja e studimit dhe analizës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe rolit në ndryshim të shtetit”, mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.

Gjatë viteve të fundit, bota liberale është shfaqur e përçarë dhe e shpërqendruar nga çështje shumë të rëndësishme dhe më pak të rëndësishme. Në librin e tij “Rikthimi i Historisë dhe Fundi i Ëndrrave”, Robert Kagan paraqet në mënyrë të përkryer çështjet thelbësore me të cilat përballen vendet me demokraci liberale, duke i sfiduar ato të zgjedhin nëse duan të bëjnë historinë apo të lejojnë të tjerët ta bëjnë për to.

Shpresat për një rend të ri ndërkombëtar paqësor pas përfundimit të Luftës së Ftohtë u venitën për shkak të realitetit të kthjellët: Fuqitë e Mëdha janë duke konkurruar sërish për nder dhe ndikim. Bota vijon të jetë “unipolare”, por konkurrenca ndërkombëtare midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rusisë, Kinës, Europës, Japonisë, Indisë, dhe Iranit paraqet kërcënime të reja për konflikte rajonale. Përmes këtij libri, Kagan provon se pritshmëria e madhe që pas Luftës së Ftohtë bota do të hynte në periudhën e konvergimit gjeopolitik, është thjeshtë një iluzion.

“Rikthimi i Historisë dhe Fundi i Ëndrrave” sugjerohet të lexohet nga çdo politik-bërës, analist, politikan, student, gazetar dhe të gjithë ata që janë të interesuar mbi gjeopolitikën e shekullit të XXI – të. Ky libër gjendet në Bibliotekën e Studimeve Europiane dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë EMA-s, si dhe në libraritë shqiptare.