Linja e Gjelbër – Trajnimi i parë për Ngritjen e Kapaciteteve të Organizatave të Shoqërisë Civile për Mbrojtjen e Konsumatorit, 14 maj 2025

Më datë 14 maj 2025, u zhvillua në ambientet e Europe House trajnimi i parë mbi mbrojtjen e konsumatorit, i organizuar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në kuadër të projektit “Linja e Gjelbër për Mbrojtjen e Konsumatorit – Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri nëpërmjet fuqizimit të OSHC-ve lokale” i financuar nga Bashkimi Evropian (IPA III/2024) dhe zbatuar nga Qendra ALERT, në bashkëpunim me EMA-n. Ky trajnim është pjesë e një serie trajnimesh që do të mbulojnë jo vetëm Tiranën, por edhe gjashtë qytete të tjera në Shqipëri. Ai synon rritjen e ndërgjegjësimit dhe forcimin e kapaciteteve të organizatave vendore dhe qytetarëve për të adresuar çështje që lidhen me të drejtat e konsumatorit dhe sigurinë ushqimore.

Trajnimi u hap nga moderatori Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), i cili theksoi rëndësinë e evidentimit të problematikave që prekin konsumatorët dhe domosdoshmërinë për të forcuar ndërgjegjësimin qytetar mbi të drejtat e tyre. Ai vuri në dukje se informimi dhe edukimi janë hapa kyç për një shoqëri që kërkon standarde më të larta dhe mbrojtje efektive të konsumatorëve.

Në vijim, Granit Sokolaj, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës ALERT, sqaroi objektivat konkrete të projektit “Linja e Gjelbër”. Ai theksoi se numri pa pagesë 0800 26 26 është në dispozicion të qytetarëve për të paraqitur ankesat e tyre, të cilat më pas iu referohen institucioneve përkatëse për zgjidhje. Deri më tani, nga 50 raste të qëndrueshme të raportuara, 35 janë zgjidhur, ndërsa 7 janë deleguar pranë Komisionit për Mbrojtjen e Konsumatorit. Nga 90 telefonata të marra gjithsej, shumica e rasteve të paqëndrueshme vijnë për shkak të mungesës së informacionit apo dokumentacionit mbështetës. Rastet më të shpeshta kanë qenë ato që lidhen me tregtinë online (e-commerce), ndërsa më pak ankesa janë regjistruar në lidhje me sigurinë ushqimore. Sokolaj theksoi se Rrjeti i OSHC-ve për Mbrojtjen e Konsumatorit, që synohet të krijohet me pjesëmarrjen e 20 organizatave, ka për qëllim të nxisë bashkëpunimin ndërmjet tyre për të forcuar rolin e shoqërisë civile në nivel lokal, si dhe të rrisë ndërgjegjësimin dhe veprimin e përbashkët në fushën e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri.

Ermelinda Muçaj, Oficere Projekti, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), nënvizoi rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të aktorëve të ndryshëm në fazat e ardhshme të projektit, përfshirë Tryezat e Diskutimit dhe Këshillimit në kuadër të Platformës e Partneritetit për Integrimin Europian, të cilat krijohen në mënyrë analoge me kapitujt e “acquis” të Bashkimit Europian, por që në këtë projekt fokusi është i shtuar në Kapitujt 28 (Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit) dhe 12 (Siguria ushqimore, veterinare dhe mbrojtjes së bimëve), të cilët janë ndër më të rëndësishmit për këtë sektor. Ajo shtoi se qëllimi kryesor i secilës Tryezë është të diskutojë, të shqyrtojë dhe të ndërmarrë qëndrime dhe rekomandime drejtuar institucioneve, sekretariatit teknik të integrimit europian e strukturave të tjera përgjegjëse në procesin e integrimit europian, për çështjet e fushat specifike që trajtojnë. 

Nirvana Deliu, Drejtore Projekti, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), vazhdoi më tej me trajnim teorik, duke shpjeguar se piketat përmbyllëse të përkohshme (provisional closing benchmarks) në negociatat për anëtarësim në BE tregojnë qartë se ka ende shumë punë për të bërë, veçanërisht në këtë kapitull. Ajo theksoi se Komisioni Europian ka rritur monitorimin, me raporte javore për ecurinë e reformave, ku janë shtuar tashmë edhe monitorimet për zbatimin efikas të Udhërrëfyesve për Shtetin e së Drejtës, Funksionimin e Institucioneve Demokratike dhe Agjendën Kombëtare të Reformave në kuadër të Planit të ri të Rritjes. Ajo shtoi gjithashtu që monitorimet janë shtuar edhe konkretisht në shtetin e së drejtës  falë Raportit të publikuar në këtë fushë që prej 2024 ku përfshihen jo vetëm shtetet anëtare, por ka një raport për secilin shtet të Ballkanit Perëndimor. Deliu vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së shoqërisë civile në Platformën e Partneritetit për Integrimin Europian (PPIE), ku për çdo tryezë nga 33 kapitujt mund të angazhohen deri në 5 grupe interesi (OSHC, sektori i biznesit, akademia, shoqatat e punëmarrësve, shoqatat e pushtetit lokal). Ajo shpjegoi më tej sesi palët e interesuara mund të anëtarësohen si individ/ekspert ose përfaqësues së një organizate, nëpërmjet thirrjeve publike nga institucionet përgjegjëse duke specifikuar mënyrën e aplikimit. 

Trajnimi vijoi me Klotilda Neziri, Përgjegjëse e Sektorit të Edukimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit pranë Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI). Ajo u ndal fillimisht te marrëdhënia konsumator–tregtar, ndryshimet strategjike dhe ligjore nga viti 2008 deri në 2025, si dhe harmonizimin e legjislacionit kombëtar me direktivat e Bashkimit Europian. U trajtuan temat kyçe si ndalimi i praktikave të padrejta tregtare, mbrojtja nga kushtet e padrejta në kontrata, rregullimi i publicitetit çorientues dhe forcimi i të drejtave të konsumatorit në epokën digjitale. Një theks i veçantë Neziri i kushtoi ligjit të ri për mbrojtjen e konsumatorit, i cili përfshin direktivat më të fundit të BE-së që lidhen me përmbajtjen digjitale, shërbimet në distancë dhe tranzicionin e gjelbër. Gjithashtu, ajo evidentoi institucionet zbatuese si Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, duke shpjeguar kompetencat e tyre në monitorimin dhe ndëshkimin e shkeljeve ndaj konsumatorëve. U theksua rëndësia e zgjidhjes alternative të mosmarrëveshjeve (ZAM) dhe roli i pushtetit vendor, duke vene ne dukje se konsumatori ka të drejtën e paraqitjes së ankesës te struktura administrative shtetërore përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorëve ose strukturat e posaçme në njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe databaza e kësaj të fundit përmban rreth 124 me përfaqësues nga 61 bashkitë e vendit. Neziri në përfundim nënvizoi nevojën për forcimin e kapaciteteve të organizatave të konsumatorëve, rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe përmirësimin e standardeve të sigurisë së produkteve, në funksion të përafrimit me acquis të Kapitullit 28 dhe përmbushjes së detyrimeve të integrimit europian.

Në përfundim të trajnimit, pjesëmarrës nga organizata të shoqërisë civile, akademia, media dhe ekspertë të pavarur morën pjesë aktivisht, duke ndarë raste konkrete të shkeljeve të të drejtave të konsumatorëve dhe duke diskutuar mënyrat se si këto raste mund të raportohen dhe trajtohen nga institucionet përgjegjëse. Ata gjithashtu komentuan mbi sfidat aktuale në zbatimin e ligjit, rolin e institucioneve zbatuese dhe nevojën për më shumë transparencë dhe reagim të shpejtë ndaj ankesave të qytetarëve.

 

**Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit “Linja e gjelbër për mbrojtjen e konsumatorit – Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri nëpërmjet fuqizimit të OSHC-ve lokale”, financuar nga Bashkimi Evropian (IPA III/2024), që po zbatohet nga Qendra Alert në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA).