Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri – Procesi i negociatave për Kapitullin 24 – Drejtësi, Liri, Siguri – mundësitë për përfshirje të shoqërisë civile në procesin e negociatave, 26 janar 2024

Ditën e premte më 26 janar 2024, EMA së bashku me Melius Organisation mbajtën aktivitetin trajnues të radhës ku bëri bashkë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve shtetërore, staf akademik, aktivistë e studentë për ngritjen e kapaciteteve të tyre mbi procesin e negociatave të Shqipërisë me BE. Trajnimi u zhvillua me katër sesione duke trajtuar fushat e axhendës së kapitullit 24 të acquis të BE-së.

Gentiana Bektashi dhe Ingrid Dano, përfaqësuese nga Ministria e Brendshme, në sesionin e parë paraqitën kuadrin ligjor dhe institucionet kryesore shtetërore të përfshira në negociata për Kapitullin 24 në Shqipëri. Ato vunë ne dukje organizimin e këtij kapitulli në tematika përkatëse si lufta kundër krimit të organizuar; lufta kundër terrorizmit; migracioni, azili, politika e vizave, etj. Ato theksuan se ky kapitull përmban 18 institucione kontribuese, ministri, drejtori dhe insitucione në varësi, si dhe komentuan fushën e veprimit të GNPIE-së për kapitullin 24. Më tej, lektoret paraqitën disa përfundime e udhëzime dhe strukturën e prezantimeve në takimet dypalëshe të mbajtura gjatë procesit screening. Në sesionin e dytë të trajnimit, lektoret trajtuan konkretisht hartimin dhe miratimin e Udhërrëfyesit të Shtetit të së Drejtës si një nga dokumentet më të rëndësishme strategjike në vend, i cili ka marrë në konsideratë vlerësimet dhe gjetjet e Komisionit Europian të përcjella palës shqiptare, prezantimet gjatë takimeve bilaterale BE-Shqipëri në nëntor 2022 dhe përfundimet nga takimi i Nënkomitetit “Justice, Freedom, Security” më datë 14-15 qershor 2023. Lektoret vendosen theksin te masat prioritare për fushat e kapitullit 24 për t’u zbatuar në vitet në vazhdim, ndër to miratimi i një strategjie dhe planit të saj të veprimit për rikuperimin e aseteve, si dhe ngritjen për herë të parë e Zyrës për Rikuperimin e Aseteve; ngritja e një mekanizmi për identifikimin e drogave të reja dhe ngritja e një sistemi kombëtar për shkëmbimin e informacionit për drogat; miratimin e ndryshimeve ligjore përkatëse në mënyrë që të kriminalizohen të gjitha format e abuzimit seksual të fëmijëve në internet; miratimi i Planit të ri të Veprimit për Luftën Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore (2024), si dhe krijimi i Zyrës Qendrore Kombëtare për koordinimin dhe shkëmbimin e informacionit në fushën e mbrojtjes së monedhave kundër falsifikimit. Në përfundim të këtij sesioni, ato theksuan 3 pikat kryesore në të cilat konsiston pozicioni negociues që duhet të paraqitet nga qeveria shqiptare përpara fillimit të bisedimeve. Në sesionin e fundit, lektoret sqaruan rolin e Tryezës për Kapitullin 24 në kuadër të Platformës së Partneritetit për të cilën Ministria e Brendshme në cilësinë e institucionit drejtues për këtë kapitull ka institucionalizuar PPIE ku bëjnë pjesë rreth 30 përfaqësues nga universitete, media, shoqëria civile, organizata ndërkombëtare etj. Gjatë mbajtjes së takimeve të ndryshme me anëtarët e tryezës për çështje të lidhura me luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, luftën kundër krimit kibernetik dhe kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale apo garantimi i shtetit të së drejtës është rekomanduar vazhdimisht përfshirja sa më e qenësishme e shoqërisë civile, e cila kontribuon për sa i përket monitorimit të dokumenteve strategjike dhe planifikuese, me anë të përgatitjes së raporteve dhe dokumenteve monitoruese dhe vlerësuese.

Nirvana Deliu, Hulumtuese Politikash pranë Lëvizjes Europiane në Shqipëri, në hyrje të fjalës së saj komentoi mbi kriteteret e Kopenhagenit dhe kriterin e shtuar të Madritit, si dhe metodologjinë e re të zgjerimit dhe ndarjen e kapitujve në 6 grupime. Ajo gjithashtu shpjegoi rëndësinë e (progres) raporteve të Komisionit Europian të publikuar çdo vit për vendet aspirante, pasi përcakton arritjet e vitit të kaluar dhe prioritetet për vitin e ardhshëm. Në këtë kontekst, Deliu paraqiti dëftesën vlerësuese për kapitullin 24 për vitin 2023 në krahasim me vitin 2022, të përgatitur nga EMA, ku analizohet progresi dhe niveli i përgatitjes, si dhe një vlerësim me notë (ku 10 është nota më e lartë dhe 4 më e ulëta) për nënfushat përkatëse të këtij kapitulli si lufta kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, lufta kundër drogave, migracioni dhe azili, politika e vizave dhe Shengeni, krimi kibernetik dhe anti-terrorizmi, dhe bashkëpunimi gjyqësor. Deliu theksoi që ka ndryshim pozitiv si në nivel përgatitjeje dhe progresi për migracionin dhe azilin, politikat e vizave dhe bashkëpunimin gjyqësor. Në mbyllje të këtij sesioni, Deliu theksoi se reformat duhet të ndërmerren kryesisht në disa nënfusha të tjera, siç është krimi kibernetik dhe anti-terrorizmi, të cilat ruajnë po të njëjtin nivel progresi dhe përgatitjeje si viti i mëparshëm.

Pjesëmarrësit e këtij trajnimi shprehen interes veçanërisht për përfshirjen e mëtejshme të tyre dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile në procesin e negociatave përmes konsultimit apo hartimit të dokumenteve vlerësuese pas monitorimit të punës së institucioneve publike përgjegjëse, dhe ngritën diskutime mbi shtetin e së drejtës si një nga kushtëzimet kryesore të BE-së dhe përmirësimin e masave të parashikuara nga Udhërrëfyesi.

 

***

Ky workshop zhvillohet në kuadër të Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri, mbështetur nga Bashkimi Europian dhe që zbatohet nga Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri dhe Qendrën Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin.