SANECA – Workshop Trajnues mbi Planin Kombëtar të Integrimit Europian dhe dokumentet e tjera kryesore të negociatave dhe përfshirjen e aktorëve jo-shtetërorë, 16 shkurt 2022

Më 16 shkurt 2022 u mbajt workshopi trajnues mbi Planin Kombëtar të Integrimit Europian dhe dokumentet e tjera kryesore të negociatave dhe përfshirjen e aktorëve jo-shtetërorë në kuadër të projektit “Mbështetje për Negociatat e Anëtarësimit në kapitujt ekonomik të Acquis (SANECA) që po zbatohet nga GIZ, ku komponenti për mbështetjen e shoqërisë civile po realizohet në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA). Miratimi i Planit Kombëtar të Integrimit Europian (PKIE) për periudhën 2022-2024 u realizua pas  takimeve konsultuese me aktorët jo-shtetërorë. Workshopi u organizua në formatin hibrid, me pjesëmarrje fizike në ambientet e Hotel Grand dhe pjesëmarrjen online përmes platformës ZOOM, të anëtarëve të katër tryezave të Platformës së Partneriteti dhe Integrimin Europian të kapitujve  1,3, 20 dhe 28 të cilat koordinohen nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Ky aktivitet ishte eventi  hapës në serinë e workshopeve që do të realizohen në kuadër të projektit SANECA për periudhën shkurt – qershor 2022.  

Aktiviteti u hap me fjalën përshëndetëse të Laureta Spahiu, këshilltare e projektit. Në fjalën e saj, Spahiu bëri prezantimin e përmbledhur të gjithë projektit, gjithashtu theksoi se workshopi vjen në vazhdën e disa aktiviteteve, deri në qershor, që kanë në fokus  trajtimin dhe diskutimin e çështjeve tematike për këto katër kapituj. Sipas saj, objektivi kryesor mbetet forcimi i dialogut mes aktorëve të shoqërisë që kanë interes për kapitujt dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në rolin e institucionit përgjegjës për kordinimin e punës. Më tej Spahiu theksoi se në këtë seri trajnimesh, përveç ekspertëve lokalë janë angazhuar edhe ekspertë rajonalë, pasi ekspertiza e tyre do të jetë një vlerë e shtuar për këtë proces.

Më pas fjalën e mori Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i EMA, i cili bëri një prezantim të Planit Kombëtar të Integrimit Europian duke u ndalur tek  legjslacioni bazë, objektivat, puna përgatitore, analiza e mangësive, planifikimi, konsultimi, miratimi dhe si faza të fundit të procesit  monitorimi dhe vlerësimi i tij. Më tej, Gjipali theksoi se gjatë tryezave është e rëndësishme që një pjesë e mirë e  çështjeve të ngrihen nga aktorët jo-shtetërorë sepse arsyeja kryesore e kësaj serie trajnimesh është pikërisht  përgatitja për çështje konkrete apo shqetësimet konkrete që grupet e interesit dhe shoqëria civile mund të kenë dhe mund të diskutohen gjatë këtyre tryezave. Duke realizuar një përgatitje të mirë, do të jenë  shumë më cilësore edhe çështjet që synojmë të trajtohen gjatë platformës.

Në pjesën e dytë të workshopit fjala ishte për Nataša Dragojlović, Koordinatore e Konventës Europiane për Bashkimin Europian në Serbi. Ajo solli në vëmendje eksperiencën serbe në hartimin e dokumentaee në kuadër të procesit të negociatave. Më konkretisht, shpjegoi  Konventën  Kombëtare për Bashkimin Europian në Serbi (NCEU), e cila është miratuar në vitin 2014. Sipas znj. Dragojlović, kjo Konventë është një platformë gjithëpërfshirëse dhe bën monitorimin e procesit të negociatave të Serbisë në BE. Struktura organizative e Konventës është ngritur në mënyrë të tillë që të mbështesë zbatimin e objektivave të renditur në Planin Strategjik të NCEU në plan afatmesëm dhe afatgjatë. Eshtë krijuar gjithashtu Këshilli Programor, i cili përbëhet nga përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile , të cilët bëjnë kordinimin e grupeve të punës ndarë sipas kapitujve të Acquis së po negociohen. Në grupet e punës, gjithashtu  ka përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile dhe janë përzgjedhur në bazë të ekspertizës e përfaqësimit të tyre, të cilët monitorojnë analizojnë dhe vlerësojnë progresin e procesit të negociatave me BE. Dragojlović nënvizoi   bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet aktorëve shtetërorë dhe jo-shtetërorë në procesin e negociatave në Serbi, si mënyrën më produktive për ta çuar përpara këtë proces.

Në sesionin e fundit të aktivitetit, Nirvana Deliu nga EMA, prezantoi aktivitetet e planifikuara në kuadër të projektit SANECA për periudhën shkurt-qershor 2022. Deliu theksoi se janë  planifikuar të realizohen 8 aktivitete në total, të kombinuara midis prezencës fizike dhe prezencës online në platformën ZOOM. Gjatë këtyre aktiviteteve synohet përfshirja e ekspertëve nga rajoni (Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut) për të ndarë eksperiencat e tyre dhe rastet e suksesit. Pjesëmarrës në këto aktivitete do të jenë anëtarë të katër tryezave të PPIE (1,3, 20 dhe 28) si dhe aktorë të tjerë të interesuar. Synohet që të realizohen trajnime dhe workshope për ato fusha të kapitujve të cilësuara me rëndësi dhe që kanë zhvillime konkrete.

Në sesionin e fundit të eventit hapës të PPIE, u zhvilluan pyetje-përgjigje me pjesëmarrësit ku u diskutuan disa çështje me rëndësi për zhvillimin e tryezave dhe nevojat që kanë aktorët jo-shtetërorë në një përfshirje sa më të frytshme në procesin e konsultimit dhe diskutimit.