Zhvillimi i politikave të thithjes së trurit në Ballkanin Perëndimor, korrik 2010

EMA si një nga partnerët e projektit rajonal “Zhvillimi i politikave të kthimit të trurit në Ballkanin Perëndimor”, zbatuar nga Group 484 Beograd, mbështetur nga European Fund for the Balkans (EFB) and Balkan Trust for Democracy (BTD), ka përgatitur tre produkte:`

1. Raporti Kombëtar ” Zhvillimi i politikave të thithjes së trurit në Ballkanin Perëndimor: Shqipëria”, (korrik 2010), analizon se sa shumë dëmtohet  demokratizimi dhe zhvillimi nga fenomeni i largimit të trurit që ka prekur Shqipërinë në dy dekadat e fundit. Për më tepër, ajo paraqet nismat kryesore dhe politikat e ndërmarra që nga viti 2000 për të shndërruar fenomenin e “ikjes së trurit” në thithjen e tij. Përveç paraqitjes së të dhënave statistikore mbi këtë çështje, ky raport gjithashtu identifikon palët e interesuara mbi këtë fushë dhe analizon punën e tyre dhe ndikimin e politikave deri më tani. Duke identifikuar mangësitë dhe sfidat në masat e zbatuara deri më tani, EMA nxjerr disa përfundime dhe rekomandime se si të përmirësohen politikat në të ardhmen.

2. Dokumenti i politikave “Politikat e thithjes së trurit dhe ndikimi i tyre në procesin e Integrimit Europian të Shqipërisë”, (qershor 2010), analizon politikat e thithjes së trurit që qeveria shqiptare ka ndërmarrë në vitet e fundit dhe ndikimin e tyre në proceset e integrimit që vendi ynë po kalon. Fenomeni i largimit të trurit dhe për rrjedhojë nevoja për ta kthyer atë konsiderohet edhe më e rëndësishme si pasojë e fluksit të udhëtimeve që po shoqëron periudhën pas liberalizimit të vizave dhe e nevojës në rritje për personel të kualifikuar që mund të kontribuojnë pozitivisht në reformat e ndërmarra. Ky dokument vuri në dukje se tendencat migratore që ka përjetuar Shqipëria prej vitesh duke penguar zhvillimin e saj të mëtejshëm kulturor dhe kultivimin e mjedisit intelektual, kanë shënuar rënie pas vitit 2000. Ky dokument i politikave është prezantuar gjatë një konference që EMA organizoi më 4 qershor 2010 me pjesëmarrjen e Zëvendës Ministres së Arsimit dhe Shkencës, znj. Nora Malaj,

3. Dokumenti i Politikave “Cili është roli i universiteteve shqiptare në qarkullimin e trurit?”, (Tetor 2010), përpiqet të vlerësojë situatën e qarkullimit të trurit në një vend ku gjatë njëzet viteve të fundit është ndikuar shumë nga largimi i trurit, duke vënë në fokus rolin e universiteteve shqiptare publike dhe private, si dhe qendrat e hulumtimit dhe inovacionit në vend. Në këtë dokument janë shqyrtuar karakteristikat teorike të fenomenit të qarkullimit të trurit si dhe politikat e propozuara nga BE në këtë fushë, ku në grupin e përfituesve përfshihen studiuesit dhe institucionet shqiptare. Ndërsa aktorët pranojnë situatën në Shqipëri si një vend i vogël në zhvillim me një infrastrukturë modeste për hulumtime dhe inovacion, ata sugjerojnë se objektivi i politikave duhet të jetë qarkullimi i trurit dhe jo thithja e tij. Megjithatë, pavarësisht nga përfshirja e institucioneve shqiptare në programe të ndryshme, suksesi në qarkullimin e trurit dhe ndikimin e tij pozitiv në zhvillimin e vendit mund të mbetet i kufizuar nga disa faktorë: 1) numri i vogël i personave që përfitojnë nga këto programe, 2) dështimi për të adresuar hendekun midis infrastrukturës modeste dhe kapaciteteve menaxhuese të institucioneve kërkimore kombëtare dhe nivelit të lartë të përgatitjes që studiuesit marrin jashtë vendit, 3) nënvlerësimi i nevojës për të përfshirë ndërkombëtarët në mjedisin vendas të hulumtimeve dhe inovacioneve, gjë e cila  rezulton në masa të pakta ose jo ekzistuese për tërheqjen e tyre 4) dhe humbja e lidhjes ndërmjet rezultateve të arritura në kërkimet akademike dhe progresit në sektorë të ndryshëm të ekonomisë/industrisë në vend.

Raporti Kombëtar ” Zhvillimi i politikave të thithjes së trurit në Ballkanin Perëndimor: Shqipëria”

Politikat e thithjes së trurit dhe ndikimi i tyre në procesin e Integrimit Europian të Shqipërisë

Cili është roli i universiteteve shqiptare në qarkullimin e trurit?