RTK Radio – FOKUS/ Gledis Gjipali – Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, 26 mars 2024

Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, Gledis Gjipali, ishte i ftuar në RTK Radio për të shprehur mendimin e tij mbi aplikimin e Kosovës për në Këshillin e Europës dhe si duken shanset e Kosovës në këtë fazë. Sipas Gjipalit, Kosova ka shanse të mira sidomos pas heqjes së pengesave të çështjes së pronave që ishin të diskutueshme me procesin ligjor. Ai u shpreh se problemet në lidhje me asosacionet do të trajtohen pas anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës. Ndaj deklaratave se do të ketë vende të rajonit që do të votojnë kundër anëtarësimit të Kosovës, Gjipali u shpreh se mund të priten pengesa dhe është normale në institucione të tilla, sepse secili vend sheh interesat e tij dhe i reflekton në vendimmarrje. Politika e jashtme e Kosovës është një aspekt tjetër i rëndësishëm dhe i hap rrugët për anëtarësimin në BE, duke kërkuar shumë angazhim dhe koordinim të të gjithë institucioneve kryesore. Gjipali nënvizoi se i shikon reagimet e partnerëve ndërkombëtarë si një çështje delikate. Mënyra se si negociohet me partnerët europianë është e rëndësishme që Kosova të ketë një qasje strategjike të mirë, qendrim koherent dhe gjithashtu qartësi në kërkesat që ka. Me rikthimin në vëmendje tek çështjet e sigurisë nga lufta në Ukrainë, ka shpresa që anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor të arrihet brenda 2030.

RTK Radio – FOKUS/ Gledis Gjipali – Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, 27 mars 2024