Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile: Procesi i integrimit europian në Shqipëri – mundësitë për përfshirje të shoqërisë civile dhe të rinjve në procesin e negociatave për politikat sociale, turizmin, arsimin, dhe rininë, Bulqizë, 29 prill 2026

Më 29 prill 2026, Lëvizja Evropiane në Shqipëri (EMA), në bashkëpunim me Partners Albania, zhvilloi në Bulqizë një workshop në kuadër të Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile (NRC), një nismë e Partners Albania për Ndryshim dhe Zhvillim, mbështetur nga Bashkimi Evropian. Aktiviteti u fokusua në informimin dhe nxitjen e përfshirjes së shoqërisë civile, aktivistëve dhe të rinjve në procesin e integrimit europian, me vëmendje të veçantë te bujqësia, siguria ushqimore, punësimi, si dhe te zhvillimet që lidhen me kapitujt përkatës të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Aktiviteti u hap nga Xhoana Zeqo, Menaxhere Projekti pranë Partners Albania për Ndryshim dhe Zhvillim, e cila prezantoi qëllimin dhe aktivitetet e Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile. Ajo theksoi se Qendra Burimore synon të nxisë angazhimin qytetar dhe pjesëmarrjen aktive në jetën publike, duke u kushtuar vëmendje të veçantë aktorëve të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit jashtë Tiranës. Zeqo nënvizoi rëndësinë e nismave të tilla për të afruar shoqërinë civile, institucionet dhe komunitetet lokale me procesin e integrimit europian, duke krijuar hapësira për informim, diskutim dhe përfshirje në vendimmarrje. Ajo theksoi se aktiviteti synon të përmbush dy objektiva kryesorë: së pari, të shpjegojë në një gjuhë të thjeshtë procesin teknik të negociatave dhe mënyrën se si ai përkthehet në zhvillime konkrete për komunitetet lokale; dhe së dyti, të krijojë mundësi për përfshirje dhe dialog ndërmjet institucioneve vendore, shoqërisë civile, të rinjve dhe grupeve të interesit.

Nirvana Deliu, Drejtore Projekti pranë Lëvizjes Europiane në Shqipëri, ofroi një panoramë të procesit të integrimit europian, Metodologjisë së Zgjerimit të BE-së dhe ecurisë së negociatave të anëtarësimit. Ajo u ndal gjithashtu te strukturat dhe mekanizmat përmes të cilëve aktorët e shoqërisë civile, por edhe grupe të tjera interesi, mund të kontribuojnë në proceset e konsultimit dhe vendimmarrjes. Deliu theksoi se për t’u bërë aktorë aktivë në këtë fazë të rëndësishme për Shqipërinë, grupet e interesit duhet, para së gjithash, të informohen dhe të ndërgjegjësohen mbi mundësitë dhe mënyrat e përfshirjes, si dhe mbi rolin që mund të luajnë. Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që procesi teknik i negociatave të komunikohet në mënyrë sa më të qartë dhe konkrete, në mënyrë që aktorët jo-shtetërorë të kuptojnë se si zhvillimet në kuadër të integrimit europian ndikojnë në fushat e tyre të veprimtarisë dhe në jetën e përditshme të komuniteteve ku ata bëjnë pjesë.

Më tej, Florian Xhafa, Drejtor Ekzekutiv i Institutit për Politika dhe Ligj, u ndal në mënyrë më të detajuar te disa prej kapitujve të negociatave me interes për pjesëmarrësit. Ai prezantoi temat që mbulojnë këta kapituj, kuadrin ligjor përkatës dhe sfidat me të cilat përballet Shqipëria në procesin e përafrimit me standardet e Bashkimit Europian, duke theksuar njëkohësisht mënyrat se si grupet e ndryshme të interesit mund të përfshihen dhe të kontribuojnë. Vëmendje e veçantë iu kushtua Kapitullit 12 – Siguria Ushqimore, Kapitullit 11 – Bujqësia dhe Zhvillimi Rural, si dhe Kapitullit 19 – Politikat Sociale dhe të Punësimit. Xhafa theksoi se, në fazën aktuale të procesit, përmbushja e standardeve të BE-së në këto fusha do të kërkojë gjithnjë e më shumë investime në aspektin teknik, në infrastrukturë, burime njerëzore dhe kapacitete institucionale. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e informimit dhe të diskutimit mbi kostot dhe ndikimet potencialisht negative që procesi i reformave dhe transformimit mund të sjellë për sektorë dhe grupe të caktuara interesi.

Pas prezantimeve, aktiviteti vijoi me një diskutim ndërveprues, gjatë të cilit pjesëmarrësit ndanë disa nga sfidat kryesore që hasin aktorët joshte­tërorë në nivel lokal, veçanërisht të rinjtë. U evidentua ndjesia e mungesës së përfshirjes dhe e mundësive për angazhim konkret në procesin e integrimit europian. Nga ana tjetër, organizatat e shoqërisë civile ngritën shqetësimin për shkëputjen nga zhvillimet dhe proceset që zhvillohen në nivel qendror, si dhe për vështirësitë që krijojnë mungesa e kapaciteteve dhe e ekspertizës për pjesëmarrjen e tyre aktive. Diskutimet nxorën në pah rëndësinë e afrimit të procesit të integrimit europian me komunitetet lokale, përmes informimit të qartë, hapësirave të dialogut dhe mundësive konkrete për përfshirje të shoqërisë civile, të rinjve dhe grupeve të tjera të interesit.

***

Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri është një platformë informacioni dhe ofrimi shërbimesh që kontribuon në forcimin e kapaciteteve të shoqërisë civile për të qenë aktorë më efektivë, transparentë, të përgjegjshëm dhe të pavarur, si dhe në krijimin e një mjedisi mundësues për shoqërinë civile, demokracinë pjesëmarrëse dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kjo nismë financohet nga Bashkimi Europian dhe zbatohet nga Partnerët Shqipëri në partneritet me Qendrën Shqiptare për Popullsi dhe Zhvillim (QShPZh) dhe Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA).

Më shumë mund të gjeni në: www.resourcecentre.al