Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile: Procesi i integrimit europian në Shqipëri – mundësitë për përfshirje të shoqërisë civile dhe të rinjve në procesin e negociatave për politikat sociale, turizmin, arsimin, dhe rininë, Burrel, 24 prill 2026
Më 24 prill 2026, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) dhe Partnerët Shqipëri organizuan një workshop në Burrel, në kuadër të Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile (NRC), një nismë e Partnerëve Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, mbështetur nga Bashkimi Europian. Aktiviteti bashkoi organizata të shoqërisë civile në nivel lokal, përfaqësues të institucioneve publike, aktivistë dhe të rinj, për të diskutuar mbi negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, me fokus të veçantë te siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit, çështjet sociale dhe mjedisi, si dhe për të nxitur përfshirjen aktive të aktorëve jo-shtetërorë dhe pushtetit vendor në proces.
Xhoana Zeqo, Menaxhere Projekti pranë Partnerëve Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, përshëndeti pjesëmarrësit dhe prezantoi NRC-në, e cila synon të nxisë mobilizimin qytetar dhe pjesëmarrjen publike, veçanërisht të aktorëve jashtë Tiranës. Ajo theksoi se nisma të tilla ndihmojnë komunitetet lokale, institucionet dhe shoqërinë civile të marrin pjesë në diskutimet dhe konsultimet për integrimin europian. Sipas saj, aktiviteti synon jo vetëm t’i bëjë më të kuptueshme aspektet teknike të negociatave, por edhe të krijojë hapësirë dialogu dhe shkëmbimi mes aktorëve lokalë.
Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, u fokusua te mënyra se si shoqëria civile mund të përfshihet në proces dhe te mekanizmat e konsultimit që ekzistojnë tashmë. Ai pranoi se negociatat janë shumë teknike dhe sfiduese, me shumë kapituj, kërkesa ligjore dhe procedura të vështira për t’u ndjekur. Megjithatë, ai argumentoi se ky kompleksitet nuk duhet të bëhet arsye që shoqëria civile të qëndrojë mënjanë dhe e papërfshirë. Organizatat duhet të ndërmarrin nisma: të informohen, të forcojnë kapacitetet e tyre, të përfshihen në proceset e konsultimit dhe të paraqesin qëndrime të mirëargumentuara që pasqyrojnë realitetin e komuniteteve që përfaqësojnë. Ai shtoi se një shoqëri civile e fortë dhe e informuar e bën procesin më transparent dhe më të përgjegjshëm.
Florian Xhafa, Drejtor Ekzekutiv i Institutit për Politikat dhe Ligj, dha një vështrim më të detajuar mbi disa nga kapitujt me rëndësi të drejtpërdrejtë për pjesëmarrësit, përfshirë Kapitullin 11 – Bujqësia dhe Zhvillimi Rural, Kapitullin 12 – Siguria Ushqimore, Kapitullin 27 – Mjedisi dhe Kapitullin 19 – Politika Sociale dhe Punësimi. Ai trajtoi përmbajtjen e secilit kapitull, legjislacionin përkatës dhe vështirësitë që has Shqipëria në përmbushjen e standardeve të BE-së. Xhafa theksoi se progresi në këto fusha do të varet nga investimet në infrastrukturë, burimet njerëzore të kualifikuara dhe institucione më të forta, si dhe se është e rëndësishme të diskutohet hapur se si reformat mund të ndikojnë në sektorë dhe grupe të caktuara.
Gjatë diskutimit ndërveprues, pjesëmarrësit përshkruan vështirësitë kryesore me të cilat përballen aktorët jo-shtetërorë në nivel lokal. Shoqëria civile dhe të rinjtë folën për ndjesinë mospërfshirje dhe lënies jashtë procesit dhe për mundësi të pakta reale për të kontribuar. Diskutimi nënvizoi nevojën për informacion të aksesueshëm, hapësira dialogu dhe mundësi praktike për të përfshirë shoqërinë civile lokale, të rinjtë dhe aktorë të tjerë të interesit në procesin e integrimit europian.
***
Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri është një platformë informacioni dhe ofrimi shërbimesh që kontribuon në forcimin e kapaciteteve të shoqërisë civile për të qenë aktorë më efektivë, transparentë, të përgjegjshëm dhe të pavarur, si dhe në krijimin e një mjedisi mundësues për shoqërinë civile, demokracinë pjesëmarrëse dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kjo nismë financohet nga Bashkimi Europian dhe zbatohet nga Partnerët Shqipëri në partneritet me Qendrën Shqiptare për Popullsi dhe Zhvillim (QShPZh) dhe Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA).
Më shumë mund të gjeni në: www.resourcecentre.al



