Udhëzuesi për Monitorimin e Dokumenteve Strategjike, si Mjet për Matjen dhe Vlerësimin e Proceseve Integruese, tetor 2025

Udhëzuesi për Monitorimin e Dokumenteve Strategjike, si Mjet për Matjen dhe Vlerësimin e Proceseve Integruese është hartuar si një instrument metodologjik dhe analitik që synon të forcojë kuptimin, vlerësimin dhe monitorimin e dokumenteve strategjike për Kapitullin 23 – Gjyqësori dhe Të Drejtat Themelore në kontekstin e procesit të integrimit europian.

Në mënyrë të strukturuar, udhëzuesi shpjegon funksionin dhe përmbajtjen e çdo elementi përbërës të një dokumenti strategjik, duke ndjekur modelin standard të strategjive sektoriale dhe ndërsektoriale. Çdo pjesë e strategjisë nga konteksti strategjik dhe përcaktimi i vizionit, te qëllimet e politikave, objektivat specifike, masat, treguesit dhe buxheti shpjegohet jo vetëm për nga përmbajtja, por edhe për nga funksioni që ka në ndërtimin e një strategjie koherente dhe të zbatueshme, dhe janë analizuar nga shembuj konkretë të marrë nga Strategjia Ndërsektoriale e Drejtësisë 2024–2030 që shërben për të forcuar lidhjen ndërmjet analizës teorike dhe praktikës institucionale.

Një element dallues i udhëzuesit është përfshirja, në përfundim të çdo seksioni kryesor, e një sërë pyetjesh kontrolli për monitorim të jashtëm nga organizata të shoqërisë civile, ekspertë të pavarur apo akademia. Këto pyetje shërbejnë për të testuar koherencën logjike të dokumentit, qartësinë e formulimeve, lidhjen ndërmjet problemeve të identifikuara dhe masave të propozuara, si dhe nivelin e matshmërisë së objektivave dhe treguesve. Në këtë mënyrë, udhëzuesi ofron një kornizë të strukturuar analitike për vlerësimin kritik të dokumenteve strategjike, pasi paraqet hapat kryesorë që duhen ndjekur nga OSHC-të për organizimin e procesit të monitorimit dhe ofron këshilla praktike në seksionin e fundit për domosdoshmërinë e përdorimit të treguesve të përcaktuar në strategji, duke u fokusuar tek vlerat bazë, vlerat e synuara dhe afatet kohore.

Udhëzuesi trajton gjithashtu aspektet e zbatimit, përgjegjësisë institucionale, koordinimit dhe monitorimit, duke sqaruar rolet e institucioneve përgjegjëse, mekanizmat e raportimit dhe mundësitë për vlerësim periodik të ecurisë së strategjisë. Në përmbyllje, udhëzuesi ofron këshilla praktike për organizimin e procesit të monitorimit, përfshirë përdorimin e planit të veprimit dhe pasaportës së treguesve, mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave, si dhe interpretimin e rezultateve në funksion të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies.

Ky material është prodhuar në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Lëvizjes Europiane në Shqipëri dhe autorëve, dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet dhe qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Projekti “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, po zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) me mbështetjen financiaretë Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility and Media 2021, në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).

Udhëzuesi për Monitorimin e Dokumenteve Strategjike, si Mjet për Matjen dhe Vlerësimin e Proceseve Integruese, tetor 2025