Grupi i Punës për Kapitullin 24 – Forcimi i kapaciteteve ligjzbatuese përmes arsimit policor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar: roli i Akademisë së Sigurisë në procesin e integrimit europian

Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), organizoi, në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian, takimin e radhës të Grupit të Punës për Kapitullin 24 – Drejtësia, Liria, Siguria, në bashkëpunim me Akademinë e Sigurisë në Shqipëri dhe me pjesëmarrjen e Akademisë së Sigurisë Sllovake, falë mbështetjes së Bashkimit Europian, më datë 7 prill 2026. Përfaqësues të shoqërisë civile, akademikë, përfaqësues nga Policia e Shtetit dhe institucionet publike, si dhe grupe të ndryshme interesi, u bënë pjesë e takimit, duke u përfshirë edhe në diskutime dhe komente me ekspertët.

Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, Gledis Gjipali, gjatë fjalës hyrëse, vlerësoi bashkëpunimin me Akademinë e Sigurisë në Shqipëri si institucioni i vetëm i arsimit të lartë për formimin akademik të oficerëve të ardhshëm të policisë. Ai u shpreh se bashkëpunimi është me rëndësi për të diskutuar dhe ndarë mendime mbi nevojën për rritjen e kapaciteteve institucionale dhe forcimin e standardeve të sigurisë publike, në përputhje me kërkesat dhe tematikat e Kapitullit 24 në kuadër të procesit të integrimit. Gjipali theksoi se aq sa është e rëndësishme pjesa e diskutimit të politikave dhe pjesës teknike në kuadër të përafrimit të legjislacionit, po aq rëndësi ka edhe diskutimi me aktorët që e zbatojnë drejtpërdrejt këtë legjislacion, siç janë organet ligjzbatuese të rendit dhe sigurisë. Në këtë drejtim, Akademia e Sigurisë ka rëndësi sa i përket nevojës për trajtimin e çështjeve të sigurisë, si dhe për vendosjen në dispozicion të informacioneve të rëndësishme dhe ngritjen e kapaciteteve. Këto informacione kontribuojnë në fuqizimin e trupave të sigurisë dhe i ndihmojnë më tej në përballimin e sfidave specifike, përfshirë ato të lidhura me kontekstin europian, të cilat rrjedhimisht mundësojnë koordinim më të mirë ndërmjet instancave ndërshtetërore dhe atyre europiane.

Prof. Dr. Ilirjan Mandro, Rektori i Akademisë së Sigurisë në Shqipëri, prezantoi fillimisht rrugëtimin e Akademisë së Sigurisë, e cila që nga viti 2023 është e akredituar si IAL dhe në kurrikulat dhe teknikat e mësimdhënies po përafrohet me standardet e BE-së. Mandro prezantoi zhvillimet që janë ndërmarrë në kuadër të procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe synimet që priten të arrihen për përmbushjen e standardeve europiane, ku Fakulteti i Sigurisë dhe Hetimit, si njësia kryesore e Akademisë së Sigurisë dhe zbatimit të programeve të studimit, bashkërendon mësimdhënien me kërkimin shkencor. Në kuadër të kërkesave që burojnë edhe nga tematikat e Kapitullit 24, ai nënvizoi se zhvillohen trajnime me policinë që specializojnë oficerët e ardhshëm të policisë në rastet e trafikut të drogës, trafikimit të qenieve njerëzore, ku që prej tetorit 2025 është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me disa vende si Maqedonia e Veriut, Greqia, Mali i Zi, etj., për trajnime rajonale. Falë mbështetjes së Këshillit të Europës, Akademia ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Moldavinë në vitin 2024 gjithashtu. Zhvillimi më i ri i paraqitur nga Rektori lidhej me risinë e kurrikulave të fokusuara në veprimtarinë e gazetarëve, ku tashmë po merren masa që të mundësohet një shkallë e lartë sigurie për fjalën e lirë, si dhe ushtrimin e sigurt të profesionit të gazetarit. Në vazhdim, Mandro shpjegoi se trajnimet e zhvilluara së fundi, duke qenë se po i jepet përparësi përmbushjes së reformave për Kapitujt 23 dhe 24, janë fokusuar edhe tek respektimi i të drejtave të njeriut. Me rëndësi, sipas Mandros, është që pranimi i studentëve në Akademi respekton parimin e barazisë dhe mosdiskriminimit, ku aktualisht studentë nga komuniteti rom janë pranuar në programet e studimit që ofrohen. Rektori shtoi gjithashtu se Akademia e Sigurisë, përveç Policisë së Shtetit, pasi ndodhet nën varësinë e saj, ka bashkëpunime të ngushta edhe me institucione të tjera për zbatimin e ligjit në vend, si Policia Bashkiake, Agjencia e Mbikëqyrjes Bashkiake, Policia Ushtarake, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, etj. Ndërkaq, Akademia mirëpret edhe gjimnazistë, të cilët mund të përfshihen dhe të marrin formatin e duhur akademik. Rektori u shpreh se për të forcuar ndërkombëtarizimin e Akademisë, janë ndërmarrë disa programe shkëmbimi të studentëve shqiptarë me studentët në Akademitë Policore të Italisë, ku 68 studentë shqiptarë janë akomoduar. Shkëmbime të tjera ka pasur me SHBA-në, Turqinë dhe Gjermaninë, ku 3 grupe studentësh gjermanë janë akomoduar këtu, ndërkohë 10 studentë shqiptarë do të vazhdojnë studimet përkohësisht në Gjermani në nëntor 2026. Në përfundim, ai u shpreh se, edhe pse ka pasur zhvillime, kërkohet më shumë përpjekje, mbështetje dhe bashkëpunim që Akademia e Sigurisë të jetë në nivelin e akademive të tjera simotra në BE apo rajon.

Dr. Jozef Medelsky, Zv. Rektor për Mësimdhënien në Akademinë e Sigurisë Sllovake, në fjalën e tij prezantoi strukturën e akademisë, duke u fokusuar mbi procesin informativ, dokumentet strategjike dhe mbi zhvillimin e një udhëzuesi për përdorimin etik të Inteligjencës Artificiale (AI), që po zbatohet tashmë në këtë strukturë në Sllovaki. Akademia e Sigurisë Sllovake ka integruar 15 departamente të ndryshme dhe funksionon si e tillë prej 34 vitesh, me fokus në sigurinë publike. Ai theksoi se ofrohen programe studimi në nivelet Bachelor, Master dhe Doktoraturë, të cilat kombinojnë njohuritë teorike me ato praktike, si një model ideal që forcon disiplinën dhe formimin akademik te studentët, për të përfituar eksperiencën e duhur dhe njohuri të forta. Medelsky përmendi nevojën për forcimin e vazhdueshëm të kapaciteteve të studentëve për gjuhët e huaja si anglisht, gjermanisht dhe rusisht, si një mundësi e mirë për t’u përfshirë në workshope të ndryshme të realizuara edhe nga agjencitë europiane, për të pasur shkëmbime dhe eksperienca ndërkombëtare, por edhe si një mjet komunikimi i nevojshëm në praktikën policore dhe administratën publike. Ndërkaq, ai shpjegoi se në Akademi ndiqen kurse dhe studime të specializuara policore me qëllim përvetësimin e aftësive për ushtrimin e funksionit të hetuesit policor ose të zbatimit të ligjit. Disa nga kurset që realizohen janë: trajnime për menaxhim policor, ku kombinohen teoria dhe praktika dhe më pas mbahet një provim, kurse të specializuara për anëtarët e Zyrës së Sigurisë Kombëtare, kurse për atashe policorë që kanë misione jashtë Sllovakisë, etj. Një zhvillim pozitiv i realizuar nëpërmjet bashkëpunimeve europiane dhe programeve komunitare të BE-së, që u prezantua në tryezë, ishte ngritja e dhomës së posaçme për marrjen në pyetje për viktimat fëmijë dhe të mitur, që mundëson mbrojtje nga dëmtimi i mëtejshëm gjatë procedimeve penale. Për të kompletuar gamën akademike, u prezantua edhe projekti Erasmus+, i cili u cilësua si një faktor i rëndësishëm për studentët dhe stafin akademik për rritjen e kapaciteteve, ndarjen e eksperiencave dhe nxitjen e bashkëpunimit ndëruniversitar në nivel europian. Medelsky u shpreh se studentët marrin eksperiencë, ndërsa stafi akademik përfshihet në shkëmbimet Erasmus për të përvetësuar dhe ndarë strategji e ide të reja me universitetet e tjera europiane, me objektivin që ato të implementohen në IAL-të sllovake. Me shumë interes, sipas Medelsky, janë edhe mundësitë që ofrohen nga përfshirja e Akademisë së Sigurisë në agjencitë dhe mekanizmat europianë si CEPOL, EMPACT dhe SOCTA, zhvillimet dhe ndikimi i të cilave reflektohen drejtpërdrejt edhe në procesin arsimor, përmes përditësimit të përmbajtjes së kurseve, zhvillimit të mendimit analitik dhe lidhjes së teorisë me praktikën. Në këtë kuadër, një element me rëndësi është edhe platforma LEED e menaxhuar nga CEPOL dhe integrimi i e-learning në arsim, të cilat ofrojnë mundësi për përdorim të teknikave bashkëkohore të mësimdhënies, akses në njohuri të përditësuara dhe zhvillim profesional në një kontekst ndërkombëtar për studentët dhe stafin akademik. Në përfundim, u soll në vëmendje përdorimi i Inteligjencës Artificiale dhe Udhëzuesi i Rektorit të Akademisë së Forcës Policore në Bratislavë për përdorimin etik dhe transparent të mjeteve të inteligjencës artificiale, i cili përcakton rregulla si për studentët ashtu edhe për stafin akademik. Ky udhëzues parashikon edhe masa ndëshkuese në rast shkeljesh dhe ka si qëllim nxitjen e integrimit të IA në mësimdhënie, duke orientuar studentët drejt përdorimit të saj të përgjegjshëm dhe etik. Gjithashtu, Medelsky u shpreh se po parashikohen edhe mënyra të tjera të vlerësimit të studentëve, si praktika profesionale apo verifikimi i njohurive në nivel praktik, për të shmangur sa më shumë implikimet negative që vijnë nga përdorimi i IA.

Gjatë diskutimit, pjesëmarrësit u përfshinë në pyetje më konkrete dhe teknike për mënyrën e përfshirjes dhe kapaciteteve të studentëve gjatë dhe pas angazhimit të tyre në Akademi. Interes pati edhe për procesin e përditësimit të kurrikulave, ku nga ana e Akademisë Sllovake u theksua se përditësimi mundësohet një herë në vit, duke marrë në konsideratë zhvillimet dhe standardet europiane. Theksi i diskutimit u vendos edhe tek mundësitë për bashkëpunime dhe përfshirje në projekte për shkëmbimin e studentëve, ku mes Akademisë së Sllovakisë dhe asaj të Shqipërisë nuk kishte pasur më parë partneritete të tilla, ndërkohë që u vlerësua si i rëndësishëm ky bashkëpunim në të ardhmen. Në fund, diskutimi u përmbyll mbi sfidat që po sjell Inteligjenca Artificiale në arsim, ku Akademia Sllovake e Sigurisë shtoi se, me udhëzimet e nxjerra, janë përcaktuar detyrime dhe përgjegjësi për studentët dhe stafin akademik. Rast konkret është që nga ky vit studentët duhet të deklarojnë përdorimin e AI në punimet e tyre, gjë që deri më tani nuk bëhej.

*Kjo tryezë u zhvillua në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility 2021, i cili zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).