Dokument Politikash – Paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP) – Sfidat e përafrimit të legjislacionit, qershor 2026

Ky punim, i hartuar nga Dr. Aida Bushati, për Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA), analizon fenomenin e Padive Strategjike kundër Pjesëmarrjes Publike (SLAPP) dhe sfidat që lidhen me përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet europiane në këtë fushë. Ai argumenton se paditë SLAPP përbëjnë një kërcënim serioz për lirinë e shprehjes, pluralizmin e medias dhe pjesëmarrjen qytetare, pasi përdoren jo për të mbrojtur të drejta legjitime, por për të intimiduar, heshtur ose ngarkuar financiarisht dhe psikologjikisht gazetarët, aktivistët, mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe aktorë të tjerë që kontribuojnë në debatin publik. Punimi thekson se zhvillimet e fundit në BE dhe në Këshillin e Europës e kanë shndërruar mbrojtjen kundër SLAPP-ve në një standard të rëndësishëm të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe procesit të integrimit europian.

Punimi analizon tre dimensione të ndërlidhura: (i) kuadrin normativ europian kundër padive SLAPP, duke shqyrtuar mbrojtjen e lirisë së shprehjes sipas Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, jurisprudencës së Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe përmbajtjen e Direktivës (BE) 2024/1069 dhe Rekomandimit CM/Rec(2024)2 të Këshillit të Europës; (ii) përvojat dhe sfidat e transpozimit të Direktivës Anti-SLAPP në shtetet anëtare të BE-së, përfshirë dilemat mbi mënyrën e integrimit të saj në sistemet kombëtare procedurale, interpretimin e koncepteve kyçe dhe garantimin e mekanizmave efektivë mbrojtës; dhe (iii) angazhimi i Shqipërisë për të pasur një ligj të posaçëm për paditë SLAPP të harmonizuar me standardet e BE-së dhe Këshillit të Europës. 

Duke pasur parasysh procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, punimi synon të ofrojë udhëzime konkrete për politikëbërësit dhe institucionet shqiptare në ndërtimin e një kuadri efektiv kundër padive SLAPP. Vërehet se, megjithëse legjislacioni shqiptar përmban disa mekanizma të përgjithshëm kundër abuzimit procedural dhe për mbrojtjen e lirisë së shprehjes, këto instrumente nuk adresojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë karakteristikat specifike të padive SLAPP. Për këtë arsye, autorja rekomandon një qasje të kombinuar që përfshin ndryshime si në kodet ekzistuese procedurale, ashtu edhe miratimin e një ligji të posaçëm anti-SLAPP që do të përfshinte mekanizma të qartë për identifikimin, rrëzimin e hershëm dhe sanksionimin e procedurave abuzive.

Dokument Politikash – Paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP) – Sfidat e përafrimit të legjislacionit, qershor 2026

*Ky material është prodhuar në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Lëvizjes Europiane në Shqipëri dhe autorëve, dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet dhe qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Projekti “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, po zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) me mbështetjen financiaretë Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility and Media 2021, në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).