SANECA – Tryezë Diskutimit: Njohja e ndërsjellë të kualifikimeve profesionale – implikimet e Direktivës 2005/36/KE dhe procesi i harmonizimit, 15 qershor 2022

Më datë 15 qershor 2022, u zhvillua një tryezë diskutimi me temë ‘’Njohja e ndërsjellë të kualifikimeve profesionale – implikimet e Direktivës 2005/36/KE dhe procesi i harmonizimit’’. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të Projektit SANECA, organizuar nga GIZ dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë në bashkëpunim me EMA. Pjesë e kësaj tryeze diskutimi ishin jo vetëm anëtarë të Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian (PPIE) por edhe përfaqësues nga institucionet e autoritete përgjegjëse shtetërore, dhomat e tregtisë dhe industrisë, përfaqësuese nga universitetet dhe urdhrat profesionalë,si dhe ekspertë nga shoqëria civile.

Aktiviteti nisi me fjalën përshëndetëse të organizatorëve të aktivitetit – Nirvana Deliu (EMA) pasuar nga një koment i shkurtër nga eksperti Erkand Kola nga GIZ. Më pas prezantimi vijoi me Dr. Aida (Gugu) Bushati, eksperte e Kapitullit 3, e cila prezantoi Direktivën 2005/36 – Njohja e kualifikimeve profesionale si fillim duke analizuar të dhënat mbi numrin e profesioneve të rregulluara dhe shpërndarjen e tyre sipas sektorëve të ndryshëm të ekonomisë. Në vazhdim, Bushati i kushtoi vëmëndje përkufizimeve ‘’profesion i rregulluar’’, ‘’kualifikime profesionale’’, ‘arsimi dhe trajnimi i rregulluar’’ në mënyrë që leximi i Direktivës të bëhet sa më i qartë. U prezantuan tre sistemet e njohjes së kualifikimeve profesionale: Sistemi i përgjithshëm i njohjes reciproke; Njohja automatike bazuar në kërkesat minimale të harmonizuara të trajnimit; dhe Njohja automatike e bazuar në përvojën profesionale. Ajo në vazhdim analizoi specifikat e secilit sistem duke marrë parasysh profesionet që secili prej tyre rregullon. Bushati rënditi ligjet kombëtare në fuqi lidhur me profesionet e ndryshme që ato rregullojnë  si dhe aktet ligjore të lidhura me njohjen e diplomave. Rëndësi gjatë këtij prezantimi pati analiza që iu bë përafrimit të Direktivës 2005/36 në Shqipëri, institucionet që përfshihen si dhe përgatitja e Draftit të Udhërrëfyesit (Roadmap) i cili ndër të tjera ka në fokus  identifikimin e mospërputhjeve ligjore, identifikimin e profesioneve, hartimin e akteve ligjore dhe trajnimin e strukturave.

Pjesa e dytë e diskutimit u drejtua nga Kristina Cuculoska, eksperte nga rajoni për Kapitullin 3. Duke vazhduar linjën e diskutimit Cuculoska bëri si fillim një përmbledhje të të gjithë infomacionit të dhënë me herët mbi objektivat e Direktivës dhe çfarë ajo mbulon. Në vazhdim,  ajo nënvizoi rëndësinë e krijimit të infrastrukturës digjitale apo bazës së të dhënave  duke analizuar përmbajtjen që duhet të ketë ky sistem dhe duke dhënë shembuj nga ekperiencat e shteteve të tjera (Kroaci, Slloveni, Maqedoni e Veriut). U diskutua mbi disa të dhëna statistikore lidhur me rënditjen e profesioneve të rregulluara (të përhershme dhe të përkohshmme). Cuculoska ndau eksperiencën e Madeqonise së Veriut lidhur me ligjin ombrellë mbi njohjen reciproke të kualifikimit profesional. Në vazhdim ajo prezantoi procedurën që duhet të ndiqet për njohjen dhe institucionet e përfshira në këtë proces. U nënvizua rëndësia e krijimit të Grupit Ndër-Sektorial dhe kompetencat e Koordinatorit Kombëtar. Në përfundim u diskutua mbi regjistrin e profesioneve të rregulluara e cila është nën kompetencën e Ministrisë së Edukimit dhe Shkencës.

Kjo tryezë diskutimi u mbyll me një sërë diskutimesh nga ana e pjesmarrësve të cilët patën interes dhe kërkuan analizë të mëtejshme nga ana e ekspertëve të pranishëm lidhur me disa nga pikat e Direktivës dhe si ndikojnë ato në grupe të caktuara të profesioneve.