Module të Integruara MEL – Analiza dhe raportimi i rezultateve të Monitorim – Vlerësimit, 17 dhjetor 2024
Lëvizja Europiane në Shqipëri, në kuadër të Moduleve të Integruara për MEL – Monitorimi dhe Vlerësimi i Politikave të Shtetit të Drejtës mbështetur nga Bashkimi Europian si pjesë e projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, organizoi më datë 17 dhjetor 2024 modulin e radhës MEL, i cili u përqendrua në çështjet mbi mbledhjen e të dhënave, analizën dhe procesimin, si dhe publikimin e tyre.
Në sesionin e parë ekspertja e MEL, Mimoza Agolli, u ndal te fazat që kalon procesi i mbledhjes së të dhënave ku me rëndësi është përcaktimi i mjeteve që do të përdoren për planifikimin dhe hartimin e procesit të mbledhjes së të dhënave, shoqëruar dhe me tipologjinë e matjeve që do të përdoren së bashku me përcaktimin e kampionimit për studimin. Sa i përket kampionimit Agolli sqaroi që ai mund të jetë i rastësishëm ose i përzgjedhur bazuar në disa kategori apo karakteristika të përbashkëta. Kampionimi i rastësishëm (ose me probabilitet) përdoret më shumë në rastet e studimeve dhe monitorimeve sasiore, ndërsa kampionimi tjetër është më i përshtatshëm për studimet cilësore (kualitative) kur kampionimi përzgjidhet me anë të disa metodave ku mund të përcaktohen dhe një ose disa kritere përbashkuese. Për Agollin është shumë e rëndësishme që në gjithë këtë proces të merren në konsideratë dhe të respektohen standardet e etikës së kërkimit shkencor dhe të garantohet gjithmonë mbrojtja e të dhënave personale.
Në vazhdim të trajnimit, në sesionin e dytë Agolli u ndal më shumë mbi metodat që përdoren për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave duke bërë ndarjen mes të dhënave sasiore dhe atyre cilësore. Gjithashtu ajo sqaroi dhe metodat që përdoren për monitorimin që dallojnë, nga ato që përdoren për vlerësimin e politikave publike. Në këtë mënyrë mjetet për të mbledhur të dhëna për monitorim mund të jenë intervistat, pyetësorët apo fokus grupet, ndërkohë që kur përdoren të dhëna cilësore për monitorimin mund të përdoren observimet, analiza SWOT apo rastet studimore. Të dhënat gjatë fazës së vlerësimit shërbejnë për të krahasuar situatën para dhe pas dhe mund të përdoren metodat e njohura si Metoda Eksperimentale dhe ajo Gjysmë Eksperimentale.
Gjatë sesionit të tretë u diskutua për elementin e të mësuarit i ndërlidhur me monitorimin dhe vlerësimin. Ky element kombinohet me raportimin, publikimin dhe komunikimin e gjetjeve dhe rezultateve të nxjerra gjatë monitorimit dhe vlerësimit. Kjo fazë sipas Agollit është shumë e rëndësishme pasi së pari bëhen transparente dhe publikohen gjetjet e MEL, ndjekur kjo përpunimi i rekomandimeve ndaj politikës apo projektit që është marrë në proces monitorimi. Këto rekomandime shërbejnë si mësime të nxjerra për përmirësime dhe rregullime të mëtejshme dhe për një zbatim më efektiv dhe realizim të objektivave të politikës në fjalë.
Sesioni i fundit shërbeu për të sjellë shembuj konkretë dhe raste praktike të metodave të mbledhjes dhe analizës së të dhënave si për monitorimin dhe vlerësimin. Të ndarë në grupe pjesëmarrësit u përfshinë në realizimin e detyrave të thjeshta për përcaktimin e kampionimit, variablave dhe metodave të përshtatshme për monitorimin apo vlerësimin e rasteve të politikave publike në Shqipëri si reforma në Drejtësi, anti-korrupsioni apo punësimi profesional.



