SANECA – Tryezë diskutimi: Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale – sfidat e hasura në Shqipëri dhe eksperienca nga rajoni, 1 qershor 2022
Në datë 1 qershor 2022 u mbajt tryeza e diskutimit për ndërmarrjet dhe politikat Industriale – sfidat e hasura në Shqipëri dhe eksperienca nga rajoni. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit SANECA – Komponenti i përfshirjes së shoqërisë civile, organizuar nga GIZ dhe European Movement Albania (EMA). Në këtë takim morën pjesë anëtarë të tyezave për Kapitujt 1, 3, 20 dhe 28, si edhe përfaqësues nga institucionet e autoritetet përgjegjëse shtetërore, dhomat e tregtisë dhe industrisë, prodhues dhe operatorë biznesi, si dhe ekspertë nga shoqëria civile dhe universitetet. Aktiviteti u zhvillua në formatin hibrid, me pjesëmarrje fizike në ambientet e Xheko Imperial Hotel dhe online në platformën ZOOM.
Takimi u hap nga Gledis Gjipali, Drejtor ekzekutiv i European Movement Albania, i cili theksoi se kjo temë është me rëndësi të veçantë sepse trajton në mënyrë specifike çështjen e negociatave, por edhe sepse do të ketë takim me grupet e interesit dhe impaktin që japin në shoqërinë shqiptare.
Laureta Spahiu, këshilltare e projektit SANECA/GIZ, u shpreh se këto takime do të ndihmojnë anëtarët e platformës dhe në kohën që do të hapen negociatat do të shihet rëndësia e këtyre tryezave.
Fjalen e mori Igor Brkanovic, ekspert për Kapitullin 20, i cili e nis prezantimin e tij duke i dhënë përgjigje pyetjeve si: çfarë është procesi i negociatave, cilat janë sfidat kryesore të anëtarësimit dhe karakteristikat e negociatave. Më tej, foli për sfidat kryesore të procesit të harmonizimit të legjislacionit duke shpjeguar se kuadri i Kapitullit 20 është i definuar nga BE dhe struktura e negociatave është e përcaktuar nga shteti kandidat. Ai theksoi se bizneset duhet të marrin pjesë në stadet e para dhe gjatë prezantimit nuk ngurroi të jepte rekomandime për procesin e negociatave si psh.: të pasurit të një zëri të vetëm për politikat e krijimit dhe të implementit. Gjithashtu nuk ngurroi të sjellë shembujt e Malit të Zi, Serbisë dhe Kroacisë. Brkanovic foli për principet e politikave të BE në Kapitullin 20 si psh., kuadri institucional dhe planet për rritjen e kapaciteteve etj, si dhe i kushtoi një vëmendje të veçantë Marrëveshjes së Gjelbër europiane, duke u ndalur në 3 prioritetet e saj: konkurrueshmëria globale; mbajtja e klimës neutrale në Europë dhe e ardhmja dixhitale europiane, duke shpjeguar në mënyrë specifike secilën prej tyre. Nga pjesëmarrësit pati shumë interes për të ditur më shumë për rastin e Malit të Zi dhe çfarë eksperiencash pozitive mund të nxirrej nga procesi i kaluar në këtë shtet.
Evis Dino, Sekretare e Përgjithshme e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë (UCCIAL), trajtoi disa nga probematikat lidhur me kapitullin 20 të hasura nga komuniteti i biznesit. Dino u shpreh se procesi i negociatave do të zgjasë, por përfshirja e biznesit, njohja e legjislacionit kanë rëndësi dhe kjo kërkon edhe bashkëpunim me biznesin. Dhe përfshirja e biznesit që në fazat e hershme ka shumë rëndësi dhe dhomat duhet të jenë sa më të informuara që të dihet si do t’i transferohet informacioni bizneseve individuale. Më tej, prezantimi u vijua në formë diskutimi me pjesëmarrësit e këtij kapitulli. Sipas pjesëmarrësve tani jemi ende në fazën e informimit dhe problematikat mbeten në kuadrin e problemeve teknike. Këtu është i rëndësishëm edhe roli i organizatave ombrellë. Për shpërndarjen e informacionit Dino sugjeroi që të kërkohet një rrugë më efiçiente (jo vetëm përmes emaileve), por ndoshta do të ishte më mirë të dërgohen edhe përfaqësues. Për këtë arsye unioni i dhomave duhet të ketë strategjinë e vet, në mënyrë që bizneset ta kenë informacionin sa më të thjeshtuar dhe të përmbledhur.
Sipas Rrapaj jashtë Tirane njerëzit duke qenë më pak të informuar janë edhe të interesuar për të ditur më shumë. Gazeta e agrobiznesit ka pasur shumë reagime edhe nga ekspertët dhe kjo është një mënyrë që ne të mund të stabilizojmë të gjithë informacionin. Duke qenë se jemi në kohë krize njerëzit janë të përqëndruar në problemet e përditshme dhe negociatat i shohin pak të largëta në kohë. Sipas tij, ky proces duhet negociar, duke u ndalur te mungesa e vëmendjes, e cila në këtë periudhë do të kushtonte shumë. Sipas tij sa më afër realitetit të jemi, aq më eficiente dhe me interes do të jenë konkluzionet.
Më tej, Spahiu theksoi rëndësinë e organizatave ombrellë dhe sipas saj është shumë e rëndësishme që ato të jenë pjesë e këtyre takimeve, me qëllim marrjen e informacionit dhe shpërndarjen e tij në biznese ku është pak e vështirë të shkohet, p.sh bizneset që ndodhen në zonat rurale.
Sipas Gjipalit, rëndësia e informacionit dhe transferimi i tij është shumë i rëndësishëm dhe gjithashtu e bën më të lehtë procesin e reformave. Nga pjesëmarrësit ishte me interes të dihej se cili ka qenë kontributi konkret i shoqërisë civile në këto tryeza dhe u vu në dukje rëndësia qpër rritjen e fondeve për kërkimin shkencor dhe gjetja e rrugës së duhur për transmetimin e informacionit.



