SANECA – Tryezë diskutimi: Strategjitë për zhvillimin e biznesit dhe politikave industriale – risitë në lidhje me inovacionin, sipërmarrjen dhe mbështetjen financiare, 21 qershor 2022
Në datë 21 qershor 2022 u mbajt tryeza e diskutimit mbi strategjitë për zhvillimin e biznesit dhe politikave industriale – risitë në lidhje me inovacionin, sipërmarrjen dhe mbështetjen financiare. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit SANECA – Komponenti i përfshirjes së shoqërisë civile, organizuar nga GIZ dhe European Movement Albania (EMA). Në këtë takim morën pjesë anëtarë të tyezave për Kapitujt 1, 3, 20 dhe 28, si edhe përfaqësues nga institucionet e autoritetet përgjegjëse shtetërore, dhomat e tregtisë dhe industrisë, prodhues dhe operatorë biznesi, si dhe ekspertë nga shoqëria civile dhe universitetet. Aktiviteti u zhvillua në formantin hibrid, me pjesëmarrje fizike në ambientet e Hotel Rogner dhe online në platformën ZOOM.
Takimi u hap nga Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i European Movement Albania, i cili u shpreh se në këtë projekt jane trajtuar 4 kapituj të negociatave dhe janë diskutuar dhe janë nxjerrë një sërë rekomandimesh. Pjesa e parë e këtij takimi do t’i kushtohet Kapitullit 20 dhe më tej do të trajtohen rekomandimet që janë nxjerrë nga këto tryeza, për të parë se cilat hapa do të ndiqen.
Fjalën e mori Igor Brkanovic, ekspert për Kapitullin 20, i cili gjatë prezantimit të tij trajtoi disa tema si: biznesi, financat, politikat e financimit, edukimi etj. Brkanovic në pjesën e parë të prezantimit foli për SME-të dhe prezantoi pjesëmarrësit me mjedisin e biznesit në Serbi dhe Mal të Zi. Serbia e ka themeluar Fondin e Inovacionit në vitin 2012, ndërsa Mali i Zi e ka miratuar këtë fond në vitin 2021. Më tej, u ndal të flasë për promovimin e politikave të inovacionit bazuar në standardet europiane. Prezantoi pjesëmarrësit me orientimet kryesore të fondeve të Bashkimit Europian në buxhetin e periudhës 2021-2027, ku theksoi se BE ka rafinuar programe që mbështesin zbatimin e politikave të ndryshme. Buxheti prej 9.5 miliardë i programit Horizon Europe, do të implementohet në tre drejtime: shkencë; sfida globale dhe konkurrenca industriale europiane dhe inovacioni. Më tej, Brkanovic prezantoi programet: Creative Europe, Digital Europe dhe Eramus+ dhe gjithashtu foli për ‘Green transition’, duke shtruar pyetje si: sa është i përfshirë ‘Green transition’ në zhvillimin e strategjive në Shqipëri, a i drejtohen strategjitë në edukim këtij tranzicioni etj. Nga ana e pjesëmarrësve pati interes për t’u njohur më shumë për përvojën e vendeve të tjera përsa i përket përfshirjes së grave në biznes, sa kanë qenë ato pjesë e këtyre tryezave në vendet e rajonit.
Gledis Gjipali u shpreh se ky prezantim ishte shumë interesant sepse pamë shumë risi në edukim, biznes, ekonomi etj., bazuar në ‘Green deal’, gjë që është shumë e rëndësishme për ne sepse jemi ende në procesin e negociatave, ndaj fleksibiliteti i këtij dokumenti është për t’u marrë parasysh gjatë përafrimit të legjislacionit tonë me legjislacionin e BE-së. Takimi u vijua me prezantimin e rekomandimeve të nxjerra përgjatë tryezave të realizuara gjatë periudhës qershor 2021 – qershor 2022 në kuadër të SANECA, për të pasur një plan punë për aktivitetet e tjera në vijim.
Laureta Spahiu, këshilltare e projektit SANECA/GIZ, rikujtoi se të gjitha këto tryeza janë zhvilluar në kuadër të kompoentit të tretë që ka në fokus përfshirjen e shoqërisë civile në procesin e integrimit europian. Sipas Spahiut përgjatë këtyre tryezave ka qenë me shume interes dhe njohja me eksperienca nga vendet e tjera të rajonit. Janë nxjerrë mbi rreth 100 rekomandime, të cilat janë klasifikuar në 3 kategori: mbi procesin e konsultimit, mbi procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe rekomandime për anëtarët e tryezave. Gjithashtu Spahiu theksoi se këto rekomandime janë nxjerrë përgjatë gjithë tryezave. Në kategorinë e parë, ndër rekomandimet kryesore renditi: rritjen e transparencës të institucioneve publike rritjen e informimit dhe bashkëpunimit mes aktorëve, etj. Spahiu theksoi se monitorimi dhe vlerësimi i rekomandimeve të marra, do t’i vlejë grupeve të interesit, si edhe minstrive. Është i rëndësishëm zhvillimi i takimeve informuese, jo vetëm brenda Tiranës, por edhe jashtë saj. Më tej, ajo u ndal në rekomandimin e krijimit të një platforme online, duke sjellë si shembull Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, e cila e ka ngritur tashmë një faqe të tillë. Në rekomandimet e kategorisë së dytë Spahiu u shpreh se është e nevojshme që të kemi ura komunikimi në mënyrë që procesi i negociatave të jetë sa më efektiv. Një rekomandim tjetër ka të bëjë me strukturat dhe institucionet që janë të përfshira në procesin e integrimit; marrja e vendimeve fleksibël, Spahiu.
Gjipali, i theksoi se është shumë e rëndësishme që anëtarët e këtyre tryezave të jenë sa më të përfshirë, në mënyrë që këto tryeza të shndërrohen në tryeza pune me rezultate konkrete, në funksion të procesit të negociatave. Organizatat ombrellë kanë përgjegjesi jo vetëm që të angazhohen në këto tryeza, por edhe të përcjellin informacionin. Pikë tjetër e rëndësishme është parashikueshmëria e akteve që do të harmonizohen. Një dokument planifikues shumë i rëndësishëm është Plani Kombëtar për Integrimin Europian.
Më tej, takimi u vijua në formë diskutimi me pjesëmarrësit. Agim Rrapaj, Kryetar i KASH dhe anëtar i tryezës së PPIE për Kapitullin 28, u shpreh se ky aktivitet ka qenë shumë dobiprurës, rekomandimet janë të rendësishme për të trajtuar problematikat dhe tani mbetet të shihet sesi këto rekomandime do të zbatohen. Nga ana e pjesëmarrësve ka qenë me shumë rëndësi edhe marrja pjesë e ekspertëve të huaj në këto takime, në këtë mënyrë kemi pasur mundësi të përfitojmë dhe të mësojmë nga përvoja e tyre. Gjithashtu nga pjesëmarrësit u sugjerua që si tematikë në tryeza të tilla të shtohet edhe artizanati si një fushë që do ndikohet shumë nga zhvillimet në kuadër të Kapitullit 3 dhe 20.



