Sesion Informimi – Hapat e ardhshëm drejt BE-së: mbyllja e kapitujve, arritja e standardeve dhe realizimi i reformave, 13 qershor 2026, Durrës
Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në bashkëpunim me Akademinë e Studimeve Politike (ASP), organizoi në Durrës sesionin e informimit me qëllim informimin e pjesëmarrësve mbi fazën aktuale të procesit të negociatave të Shqipërisë me BE, zhvillimet më të fundit në kuadër të Grupkapitullit I – Themeloret, si dhe mbi mekanizmat institucionalë dhe instrumentet e reja të BE që mbështesin procesin e integrimit dhe zbatimin e reformave.
Në sesionin e parë, Erjon Tase, Drejtor Ekzekutiv i Akademisë së Studimeve Politike (ASP), prezantoi ecurinë aktuale të procesit të integrimit europian, duke u ndalur në rëndësinë që ka Grupkapitulli I – Themeloret, i cili është grupkapitulli i parë që hapet dhe i fundit që mbyllet gjatë negociatave të anëtarësimit. Ai shpjegoi se përmbushja e kritereve përmbyllëse (closing benchmarks) për këtë grupkapitull është vendimtare për ritmin e gjithë procesit negociues, pasi progresi në fushat e shtetit të së drejtës, funksionimit të institucioneve demokratike, reformës në administratën publike dhe mbrojtjes së të drejtave themelore vlerësohet vazhdimisht nga Komisioni Europian. Gjithashtu, ai trajtoi hapat e ardhshëm të negociatave, duke shpjeguar procedurën që ndiqet pas hapjes së grupkapitujve, përgatitjen e pozicioneve negociuese, përmbushjen e standardeve të kërkuara nga acquis i Bashkimit Europian dhe procesin që çon drejt mbylljes së kapitujve. U theksua se mbyllja e kapitujve varet nga përafrimi i legjislacionit me atë të BE-së dhe nga zbatimi efektiv i reformave dhe demonstrimi i rezultateve konkrete në praktikë.
Në sesionin e dytë, Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), prezantoi institucionet e përbashkëta BE–Shqipëri, të krijuara në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, dhe rolin e tyre në monitorimin e procesit të integrimit. Ai shpjegoi funksionimin e Këshillit të Stabilizim-Asociimit, Komitetit të Stabilizim-Asociimit, shtatë Nënkomiteteve sektoriale, si dhe Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, të cilat shërbejnë si mekanizma të dialogut politik dhe teknik ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për vlerësimin e progresit të reformave. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe Komitetit të Përbashkët Konsultativ (JCC), si një mekanizëm që garanton përfshirjen e organizatave të shoqërisë civile në procesin e integrimit, si dhe iniciativës Enlargement Candidate Members (ECMs), e cila u jep mundësi përfaqësuesve të vendeve kandidate të kontribuojnë në punën e Komitetit Ekonomik dhe Social Europian.
Më tej, prezantimi u ndal tek Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke shpjeguar objektivat e tij kryesore: integrimin gradual të vendeve të rajonit në tregun e vetëm evropian, forcimin e tregut të përbashkët rajonal, përshpejtimin e reformave dhe rritjen e mbështetjes financiare nga Bashkimi Evropian. Në këtë kuadër u prezantua edhe Instrumenti për Reforma dhe Rritje, me një fond prej 6 miliardë eurosh për rajonin, si dhe mënyra se si financimi lidhet drejtpërdrejt me përmbushjen e reformave të dakordësuara. Një pjesë e rëndësishme e prezantimit iu kushtua Axhendës Kombëtare të Reformave 2024–2027, përmes së cilës Shqipëria ka identifikuar 143 masa reformuese të organizuara në pesë fusha prioritare: zhvillimi i sektorit privat dhe klimës së biznesit, zhvillimi i kapitalit njerëzor, transformimi digjital, tranzicioni i gjelbër dhe forcimi i shtetit të së drejtës. Gjithashtu, u prezantuan të dhëna mbi disbursimin e fondeve të Planit të Rritjes për Shqipërinë, duke evidentuar se vendi ka përfituar tashmë këste të para financiare si rezultat i përmbushjes së kushteve të përcaktuara në Axhendën e Reformave, ndërsa vijimi i mbështetjes do të kushtëzohet nga progresi i mëtejshëm në zbatimin e tyre.
Në përfundim të aktivitetit u zhvillua një diskutim i hapur, gjatë të cilit pjesëmarrësit shkëmbyen mendime mbi sfidat që lidhen me përmbushjen e kritereve të Grupkapitullit I – Themeloret, koordinimin institucional në procesin negociues, rolin e shoqërisë civile në monitorimin e reformave dhe mundësitë që krijon Plani i Rritjes për përshpejtimin e integrimit europian të Shqipërisë. Diskutimi evidentoi se ritmi i negociatave në vitet në vijim do të varet nga zbatimi i qëndrueshëm i reformave dhe nga përmbushja e standardeve të kërkuara për mbylljen e kapitujve të negociatave.
*Ky sesion informimi u zhvillua në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility 2021, i cili zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).



