Sesion Informimi – Vlerësimi i përditësimeve legjislative themelore në emër të integrimit europian – perspektiva e studiuesve dhe shoqërisë civile, 4 qershor 2026

Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) organizoi sesionin e radhës të informimit, kushtuar prezantimit të hulumtimeve të politikave të hartuara në kuadër të mbështetjes së reformave që lidhen me kapitujt themelorë të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ky sesion iu dedikua kryesisht Kapitullit 5 – Prokurimi Publik, një nga kapitujt që ndodhet aktualisht në një fazë vendimtare të procesit të negociatave, ku po punohet për përmbushjen e piketave përmbyllëse përmes amendimeve ligjore dhe forcimit të kuadrit institucional.

Në hapje të aktivitetit, znj. Nirvana Deliu, Drejtore Projekti pranë Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), theksoi se procesi i integrimit europian të Shqipërisë ka hyrë në një fazë të intensifikuar, veçanërisht pas miratimit nga Komisioni Europian të raportit IBAR për përmbushjen e kritereve të ndërmjetme për Kapitujt 23 dhe 24, si edhe pas miratimit të pozicionit të përbashkët negociues në Konferencën e Tetë Ndërqeveritare BE–Shqipëri më 22 maj 2026. Në këtë konferencë u përcaktuan 14 piketa përmbyllëse për secilin prej Kapitujve 23 dhe 24, duke shënuar një etapë të rëndësishme në procesin negociues. Në këtë kontekst, znj. Deliu nënvizoi se sesione të tilla informime janë të rëndësishme për rritjen e ndërgjegjësimit dhe angazhimit të shoqërisë civile, institucioneve dhe grupeve të tjera të interesit në procesin e integrimit europian. Ajo theksoi gjithashtu se diskutimet e mbështetura në hulumtime të mirëfillta të politikave dhe të shoqëruara me rekomandime konkrete kontribuojnë në rritjen e cilësisë së dialogut publik, duke krijuar mundësi për përfshirjen e aktorëve të ndryshëm në përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional në fusha prioritare të reformave.

Nën moderimin e z. Florian Xhafa, Drejtor Ekzekutiv i Institutit për Politika dhe Ligj (IPL), sesioni vijoi me prezantimin e dokumentit të politikave mbi trajtimin e barabartë dhe mosdiskriminimin e operatorëve ekonomikë në prokurimin publik, të përgatitur dhe prezantuar nga znj. Ana Duraku, avokate dhe eksperte. Në dokumenin e politikave analizohet përmbajtja juridike e këtij parimi, evolucioni i tij në legjislacionin shqiptar, raporti me acquis të BE-së, jurisprudenca e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian (GjED) dhe praktika shqiptare e Komisionit të Prokurimit Publik dhe gjykatave administrative. Në hyrje të prezantimit u theksua se trajtimi i barabartë dhe mosdiskriminimi përbëjnë rregulla procedurale të prokurimit publik dhe burojnë gjithashtu nga parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës dhe barazisë para ligjit. U nënvizua se respektimi i tyre garanton përdorimin efikas dhe transparent të fondeve publike, zhvillimin e konkurrencës së ndershme ndërmjet operatorëve ekonomikë dhe përbën një nga kërkesat themelore të Kapitullit 5 të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Në vazhdim u prezantua metodologjia e analizës e dokumentit të politikave, e cila është mbështetur në një qasje juridiko-analitike dhe krahasuese. Kjo metodologji synon të evidentojë nivelin e harmonizimit të kuadrit ligjor shqiptar me standardet europiane, dhe hendekun që mund të ekzistojë ndërmjet rregullimit ligjor dhe zbatimit praktik të tij. Gjatë prezantimit u paraqit edhe evolucioni i kuadrit ligjor shqiptar në fushën e prokurimit publik, duke evidentuar kalimin nga Ligji nr. 7971 i vitit 1995, i bazuar në modelin UNCITRAL dhe i fokusuar kryesisht në ndalimin e diskriminimit mbi bazë shtetësie, te Ligji nr. 9643 i vitit 2006, i cili zgjeroi mbrojtjen kundër kritereve diskriminuese, dhe më pas te Ligji nr. 162/2020 “Për Prokurimin Publik”, i cili harmonizon në mënyrë më të plotë legjislacionin shqiptar me paketën e direktivave të BE të vitit 2014. U theksua se ky zhvillim ka sjellë një sistem më modern, transparent dhe të orientuar drejt garantimit të konkurrencës së ndershme në procedurat e prokurimit.

Një pjesë e rëndësishme e prezantimit iu kushtua dallimit ndërmjet parimeve të trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit. Znj. Duraku sqaroi se trajtimi i barabartë kërkon që operatorët ekonomikë të vlerësohen sipas të njëjtave kritere dhe standarde, pa favorizime ose penalizime arbitrare, ndërsa mosdiskriminimi synon të eliminojë çdo pengesë ose kriter që kufizon pjesëmarrjen në treg në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë. Në këtë kuadër u theksua se çdo diskriminim sjell trajtim të pabarabartë, por jo çdo trajtim i pabarabartë përbën domosdoshmërisht diskriminim në kuptimin juridik. Gjithashtu, u shpjegua se vlerësimi i ligjshmërisë së kritereve të kualifikimit duhet të mbështetet në testin e proporcionalitetit dhe të lidhjes funksionale me objektin e kontratës. Një kriter konsiderohet i pranueshëm vetëm nëse është objektivisht i nevojshëm për realizimin e kontratës dhe proporcional me natyrën e saj, ndërsa kriteret që krijojnë barriera të panevojshme ose kufizojnë konkurrencën pa justifikim konsiderohen diskriminuese. Në vazhdim, ajo prezantoi edhe disa teste praktike që ndihmojnë autoritetet kontraktore në identifikimin e shkeljeve të këtyre parimeve gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit. U theksua rëndësia e zbatimit të të njëjtave kritere për të gjithë operatorët ekonomikë, dhënies së sqarimeve në mënyrë të njëjtë dhe në të njëjtën kohë, shmangies së standardeve të dyfishta gjatë vlerësimit të ofertave, si dhe nevoja për të siguruar që kriteret e vendosura të mos kufizojnë pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë përtej asaj që është e domosdoshme për realizimin e kontratës.

Një pjesë e veçantë iu kushtua dimensionit europian të këtyre parimeve dhe procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis të BE. Znj. Duraku evidentoi se në kontekstin e tregut të brendshëm europian, mosdiskriminimi është mekanizmi që garanton akses të barabartë të operatorëve ekonomikë nga të gjitha shtetet anëtare në tregun e prokurimit publik. Si ilustrim u analizua çështja Storebælt (Komisioni kundër Danimarkës), ku Gjykata e Drejtësisë konstatoi se preferenca për përdorimin e materialeve dhe fuqisë punëtore vendase ishte në kundërshtim me parimin e mosdiskriminimit dhe me liritë themelore të tregut të përbashkët. Gjithashtu u evidentua se, ndonëse Ligji nr. 162/2020 ka harmonizuar një pjesë të konsiderueshme të kuadrit ligjor shqiptar me direktivat europiane të vitit 2014, mbeten ende fusha ku nevojitet përafrim i mëtejshëm, si koncesionet, prokurimi në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë, faturimi elektronik, automjetet e pastra dhe disa instrumente të tjera të acquis. Duraku gjithashtu trajtoi jurisprudencën e Gjykatës së Drejtësisë së BE, e cila ka konkretizuar përmbajtjen e parimeve të trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit. U analizuan vendimet më të rëndësishme të Gjykatës, si Telaustria, që thekson transparencën si parakusht të mosdiskriminimit; EVN/Wienstrom, që kërkon formulimin e kritereve të qarta dhe objektivisht të verifikueshme; SAG ELV dhe Manova, të cilat përcaktojnë kufijtë e lejueshëm të sqarimeve gjatë procedurës së vlerësimit; CAS Succhi di Frutta, që ndalon ndryshimin e rregullave të procedurës gjatë zhvillimit të saj; si dhe vendime të tjera që lidhen me ndalimin e përzierjes së fazës së kualifikimit me fazën e vlerësimit të ofertave dhe me menaxhimin e konflikteve të interesit.

Në fund të prezantimit u analizua praktika shqiptare e Komisionit të Prokurimit Publik dhe e gjykatave administrative, ku u evidentuan rastet më të shpeshta të shkeljeve të këtyre parimeve. U përmendën vendime ku është konstatuar se lejimi i plotësimit të dokumentacionit vetëm për një operator ekonomik cenon konkurrencën dhe trajtimin e barabartë, si dhe raste të tjera ku janë shfuqizuar kritere të paqarta, joproporcionale ose të pajustifikuara që kufizonin konkurrencën. U theksua gjithashtu se sfidat kryesore të sistemit shqiptar lidhen jo me diskriminimin e hapur, por me format indirekte të kufizimit të konkurrencës, si kriteret e paqarta, kërkesat e ekzagjeruara, ndryshimet materiale të dokumenteve të tenderit dhe sqarimet selektive. Si rekomandime kryesore u evidentuan standardizimi i dokumenteve të tenderit, përdorimi i kritereve të matshme dhe objektive, zbatimi rigoroz i testit të proporcionalitetit, rritja e transparencës në arsyetimin e vendimeve, forcimi i mekanizmave për parandalimin e konflikteve të interesit dhe zhvillimi i vazhdueshëm i praktikës unifikuese dhe programeve të trajnimit, me synimin për të garantuar një sistem prokurimi publik të drejtë, transparent dhe në përputhje me standardet e BE-së.

*Ky sesion informimi u zhvillua në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility 2021, i cili zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).