Udhëzuesi për Monitorimin dhe Analizën e Funksionimit të Institucioneve Demokratike (Grupkapitulli 1), dhjetor 2025
Udhëzuesi për Monitorimin dhe Analizën e Funksionimit të Institucioneve Demokratike është një instrument praktik dhe metodologjik që synon të forcojë rolin e shoqërisë civile, ekspertëve dhe mediave në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, konkretisht në kuadër të Grupkapitullit 1 – Themeloret. Ai ofron një kornizë të qartë për monitorimin e reformave në tre fusha të matshme: procesin zgjedhor (p.sh. zbatimi i rekomandimeve të ODIHR-it për financimin e fushatave, përdorimin e burimeve shtetërore dhe administrimin zgjedhor), funksionimin e Parlamentit (mbikëqyrja parlamentare, dëgjesat, mbikëqyrjen post-legjislative, transparenca e komisioneve) dhe roli i shoqërisë civile dhe demokracia pjesëmarrëse (konsultimet publike, funksionimi i PPEI, akses në informacion dhe media të lira), duke e lidhur drejtpërdrejt analizën me standardet e Bashkimit Europian, raportet e Komisionit Europian dhe Udhërrëfyesin kombëtar për Funksionimin e Institucioneve Demokratike. Rëndësia e udhëzuesit qëndron në përdorimin e indikatorëve të matshëm dhe një cikli të strukturuar monitorimi, që kalon nga mbledhja e të dhënave te dialogu institucional dhe ndjekja e rekomandimeve.
Për shoqërinë civile, udhëzuesi përcakton si të prodhohen dhe si të përdoren këto të dhëna. Ai kërkon që CSO-të të mbledhin të dhëna nga burime zyrtare (KQZ, Parlament, AMA, Avokati i Popullit, IDP), t’i krahasojnë ato me kriteret e Udhërrëfyesit dhe t’i raportojnë në kohë përpara përgatitjes së Raportit Vjetor të Komisionit Europian. Konkretisht, ai orienton që gjetjet të paraqiten në Platformën e Partneritetit për Integrimin Europian, në Këshillin Kombëtar për Integrimin Europian dhe në raportet “shadow” për BE-në, në mënyrë që progresi ose mungesa e tij të reflektohet drejtpërdrejt në vlerësimin zyrtar të negociatave. Në këtë formë, monitorimi i shoqërisë civile nuk mbetet opinion, por mbetet kontribut konkret i dokumentuar për procesin e anëtarësimit.
Ky material është prodhuar në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Lëvizjes Europiane në Shqipëri dhe autorëve, dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet dhe qëndrimet e Bashkimit Evropian.
Projekti “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, po zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) me mbështetjen financiaretë Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility and Media 2021, në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).



